Ish-këshilltari politik i Kadri Veselit, tash zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Valmir Klaiqi, e ka krahasuar ministrin e Financave, Hekuran Muratin, me ish-anëtarin e Listës Serbe, Aleksandër Jabllanoviq.
Përmes një reagimi në Facebook, Klaiqi ka thënë se komentet e Muratit për veteranët janë më të rënda sesa të Jabllanoviqit, kur i kishte quajtur egërsira familjet e personave të zhdukur në Gjakovë.
“Çka dallon Hekuran Murati i Qeverisë Kurti prej Aleksandër Jabllanoviqit të Listës Serbe, i cili pasi i kishte quajtur “egërsira” familjet e personave të zhdukur në Gjakovë, ishte shkarkuar nga kryeministri Isa Mustafa”, ka shkruar Klaiqi.
“Edhe më rëndë se Jabllanoviqi, ministri Hekuran Murati nga qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka fyer të gjitha familjet e dëshmorëve, fëmijët e tyre, ka fyer të gjithë invalidët dhe ushtarët e UÇK-së, me deklaratat e tij të egra dhe me mendësinë e njëjtë me Jabllanoviqin”, vijon shkrimi i tij.
Në fund, Klaiqi ka thënë se heshtja e kryeministrit Albin Kurtit, karshi deklaratave të Hekuran Muratit, do të thotë se ai pajtohet me të.