Bajrami publikon pamje nga Fakulteti Ekonomik pa rrymë: Nuk është fotografi e pasluftës
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar gjendjen me furnizimin me energji elektrike, pasi gjatë mbajtjes së një testi me studentët e nivelit master në Fakultetin Ekonomik është ndërprerë rryma.
Ajo ka treguar se ndërprerja ndodhi rreth orës 17:10, ndërsa studentët gjetën një mënyrë për të vazhduar testin, duke përdorur telefonat e njëri-tjetrit vetëm për ndriçim.
Bajrami ka publikuar edhe një fotografi nga kjo situatë.
“Jo, fotografia nuk është e pasluftës. Është bërë para një ore me 18 nëntor 2026, në ''Kosovën e progresit të paparë''”, ka shkruar ajo.
Përtej ironisë, ajo ka kërkuar nga Qeveria që urgjentisht të paraqesë në Kuvend një plan konkret për krijimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike.
Sipas saj, vetëm prodhimi vendor mund ta shpëtojë vendin nga kriza energjetike. Ajo ka paralajmëruar se, nëse nuk ndërmerren hapa tani, ndërprerjet e energjisë dhe faturat e papërballueshme mund të bëhen përditshmëri për qytetarët.















