Me sa duket, Serbia sot dashurohet më së shumti nga Republika Srpska. Atje strehohet nga drejtësia oktapodi kriminal serb, atje organizohet mbrojtja e regjimit të deridjeshëm dhe një grusht i mundshëm shteti në Serbi në periudhën që po vjen. Atje po kërkohet një fortesë e re famëkeqe e Çacilendit.

Mbetet vetëm që faraoni serb, Mile Dodik, të hapë një azil “patriotik”, ndërsa Vuçiqi ta shpallë Banjallukën Beograd rezervë, në mënyrë që të gjithë ata që i kanë humbur zgjedhjet ose që i frikësohen drejtësisë, të marrin nga një tendë dhe një flamur, një kalë, një topuz dhe një shtizë për t’u hedhur në sulm.

Sepse, me sa duket, kur nuk ke më një shtet, të cilin e ke shndërruar në pronën tënde personale, ku sundon mafia dhe ku e plaçkit popullin tënd, gjithmonë mund të gjesh ndonjë Republikë Srpska apo Rusi ku të fshihesh dhe këtë ta quash patriotizëm.

Patriotizëm që, imagjinoni, po përndiqet nga pushteti i ri, për të cilin diktatori i deridjeshëm Vuçiq thotë se është Gestapoja serbe. Madje, ai shton se jeta e tij është në rrezik, pasi ka marrë kërcënime me vdekje nga klani i Vraçarit.

Por ai, heroi i patrembur i dueleve, që i sfidon në dyluftim kolegët e tij deputetë të kampit kundërshtar politik në parlament, nuk do të shkojë askund, madje as te vëllai i tij, serbi i madh Mile Dodik, tek i cili po fshihen dhe po mbledhin forcat banda mafioze e përparimtare e Vuçiqit dhe vëllezërit e tij.

Dhe, meqë e gjithë ajo fundërrinë tashmë ka ikur atje, do të ishte mirë që me vete t’i kishin marrë edhe të gjithë çacit e tjerë të tyre të kalbur, si dhe Listën Serbe nga Kosova, që më në fund ta lënë të qetë Serbinë dhe Kosovën.

Vetëm se nuk duhet të jemi naivë dhe t’i besojmë Aleksandar Vuçiqit se ai, si diktator, ka hequr dorë kaq lehtë nga skenari i mundshëm përfundimtar që po zien në kokën e tij. Bëhet fjalë për grevën eventuale të urisë, të cilën ai e ka paralajmëruar dhe që, sipas tij, do të shkaktonte një kryengritje të një milion prej po atyre nënshtetasve të nënshtruar, servilëve, dembelëve, kufomave dhe fundërrinave të ndryshme, të cilët së bashku e shndërruan atë në diktatorin lokal më të madh kriminal në të gjithë rajonin