Çitaku: Drafti i Ligjit për Specialen është harmonizuar, para procedimit në Kuvend do të takoj liderët partiakë
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se drafti i ri i iniciativës ligjore për Dhomat e Specializuara do të procedohet në Kuvendin e Kosovës shumë shpejt, por nuk ka dhënë një datë konkrete se kur do të ndodhë kjo.
Çitaku ka theksuar se synojnë që iniciativa e re ligjore për Dhomat e Specializuara të miratohet në të dyja leximet gjatë muajit dhjetor.
Në konferencë për media, Çitaku njoftoi se para dy ditësh ka pranuar draftin e iniciativës së re ligjore, të hartuar dhe harmonizuar nga ekspertë juridikë, ndërsa të mërkurën ua ka prezantuar atë anëtarëve të grupit strategjik.
Ajo tha se qëllimi i kësaj iniciative është garantimi i një procesi të drejtë gjyqësor, respektimi i të drejtave themelore të njeriut dhe krijimi i mekanizmave të mbikëqyrjes institucionale, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit.
“E para, para dy ditësh kam pranuar draftin e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara, të hartuar dhe të harmonizuar nga ekspertë juridikë. Dje, në mbledhjen e radhës së grupit strategjik, ua kam prezantuar këtë draft të gjithë anëtarëve të grupit”, deklaroi Çitaku.
Ajo theksoi se iniciativa e re nuk synon t’i shmanget drejtësisë apo ta pengojë atë, por të sigurojë që Gjykata Speciale të respektojë të drejtat e njeriut dhe standardet evropiane.
“Iniciativa e re ligjore do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës shumë shpejt, ndërkohë unë do të ndërmarr edhe disa hapa tjerë të rëndësishëm para procedimit. Do t'i takoj të gjithë drejtuesit e partive politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, disa prej tyre tashmë i kam takuar, duke që së bashku të diskutojmë për peshën e këtij unitetit dhe për përgjegjësinë tonë të përbashkët në këtë betejë shtetërore”, ka deklaruar ajo, transmeton Dukagjini.
Çitaku bëri të ditur gjithashtu se grupi strategjik ka miratuar strategjinë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në procesin e Apelit në Hagë.
Sipas saj, strategjia është hartuar me kontributin e ekspertëve, institucioneve dhe përfaqësuesve të partive politike parlamentare shqiptare, ndërsa do të shërbejë si bazë për angazhimin e shtetit të Kosovës në këtë proces.
“E dyta, dje ne mbledhjen e grupit strategjik, kemi miratuar strategjinë për mbrojtjen e çlirimtarëve në Apel. Kjo strategji është hartuar me kontributin e ekspertëve, institucioneve dhe përfaqësuesve të të gjitha partive parlamentare shqiptare në Kuvendin e Kosovës. Tashmë kemi një dokument të përbashkët, mbi të cilin, mbi bazën e të cilit, Shteti i Kosovës do të organizoj angazhimin e tij në këtë proces”, ka deklaruar mes tjerash ajo.















