Të luash si mysafir ndaj Comos është shndërruar në një detyrë shumë të vështirë për çdo skuadër gjatë dy sezoneve të fundit. Por, këtë sfidë edhe më të vështirë për Juventusin e bëri sulmuesi i tij, Randal Kolo Muani.

Ai u ndëshkua me karton të kuq direkt që në minutën e 5 , pasi me një grusht në mjekër nokautoi mbrojtësin e majtë të Comos, Alex Valle.

Nga ai moment, ndeshja mori drejtim vetëm në një kah. Juventusi arriti të rezistonte deri në fund të pjesës së parë, por atëherë në skenë doli talenti i jashtëzakonshëm i Nico Pazit.

Argjentinasi shënoi nga një kënd i vështirë, pas një goditjeje të lirë.

Kur të gjithë prisnin një harkim në zonë, ai e dërgoi topin në këndin e afërt të portës për rezultatin 1- 0.

Sulmuesi grek Anastasios Douvikas shënoi në minutën e 62 për 2-0, pas një topi të kthyer në zonën e rreptësisë.

Rezultatin përfundimtar 3- 0 e vulosi sërish greku Douvikas, pas një asistimi fantastik nga Nico Paz.