Fetoshi kërkon përgjegjësi strategjike në bashkëpunimin e KFOR-it me ushtrinë serbe
Drejtori i Institutit OCTOPUS, Arben Fetoshi, ka reaguar lidhur me vizitën e ushtarakëve serbë në Komandën Qendrore të KFOR-it, në Camp Film City në Prishtinë, duke thënë se bashkëpunimi ushtarak nuk duhet të shpërfillë të kaluarën kriminale të Serbisë dhe qasjen e saj të vazhdueshme ndaj Kosovës.
Në një shkrim të titulluar “Përgjegjësia strategjike e një bashkëpunimi ushtarak”, Fetoshi ka thënë se reagimet dhe shqetësimet lidhur me këtë vizitë janë të kuptueshme dhe legjitime.
Sipas tij, kjo lidhet me mosdistancimin e Serbisë nga e kaluara kriminale në Kosovë, kontestimin e sovranitetit të vendit dhe ashpërsimin e tensioneve gjeopolitike.
“Pikërisht ky është konteksti që tregon se roli i NATO-s dhe forcimi i partneritetit me FSK-në, mbeten jetikë për garantimin e paqes dhe sigurisë në rajon”, ka shkruar Fetoshi.
Ai ka theksuar se komunikimi i KFOR-it me ushtrinë serbe, në kuadër të mekanizmave të Marrëveshjes Teknike-Ushtarake të Kumanovës të vitit 1999, ka kuptim vetëm nëse synon neutralizimin e kërcënimeve ndaj Kosovës.
Megjithatë, sipas tij, bashkëpunimi nuk duhet të shihet vetëm në aspektin teknik dhe operacional.
“KFOR-i duhet ta ketë parasysh edhe dimensionin simbolik të vizitave të ushtrisë serbe në Prishtinë, sidomos në raport me qëndrimin e vazhdueshëm kundër Republikës së Kosovës dhe legjitimitetit të FSK-së, si partnere të NATO-s”, ka deklaruar ai.
Fetoshi ka kritikuar edhe referimin te profesionalizmi si bazë për koordinimin mes KFOR-it dhe ushtrisë serbe, duke thënë se kjo nuk mjafton për të anashkaluar të kaluarën e saj.
“‘Profesionalizmi’ si referencë për bashkëpunimin dhe koordinimin mes tyre, nuk mund ta mbulojë trashëgiminë dhe vazhdimin e qasjes kërcënuese nga ushtria serbe”, ka shkruar drejtori i OCTOPUS-it.
Në shkrimin e tij, ai ka përmendur edhe atë që e cilëson si glorifikim të vazhdueshëm të formacioneve ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë, nderimin e personave të dënuar për krime lufte dhe promovimin e ish-komandantëve të dënuar në aktivitetet publike në Serbi.
Si shembuj, Fetoshi ka përmendur varrimin e Ratko Mlladiqit në Beograd dhe pjesëmarrjen e ish-komandantit Vlladimir Llazareviq në premierën e dokumentarit “Korpusi i Prishtinës – Atdheu na komandon”, më 7 tetor 2026.
Ai ka theksuar se ushtria serbe nuk mund të pretendojë bashkëpunim me NATO-n pa u distancuar nga e kaluara e saj.
“Një ushtri që ka kryer masakra, përdhunime e tortura ndaj civilëve, dëbime masive të popullsisë dhe fshehje të krimeve në varreza masive në Serbi, nuk mund të pretendojë ‘bashkëpunimin’ me NATO-n pa hequr dorë nga trashëgimia e saj kriminale”, ka shkruar Fetoshi, duke iu referuar aktgjykimit të Apelit në rastin Shainoviq e të tjerët, të 23 janarit 2014.
Më tej, ai ka kërkuar që mekanizmat e koordinimit ushtarak të mos përdoren nga Serbia për të kontestuar shtetësinë e Kosovës apo për të delegjitimuar institucionet e saj.
“Prandaj, është tejet e rëndësishme që mekanizmat e koordinimit ushtarak të mos i japin hapësirë instrumentalizimit të tyre nga Serbia, qoftë si shprehje e kontestimit të shtetësisë së Kosovës, qoftë si mjet për delegjitimimin e institucioneve të saj”, ka theksuar ai.
Në fund, Fetoshi ka kërkuar transparencë dhe koordinim të KFOR-it me institucionet e Kosovës, duke vlerësuar se këto janë të domosdoshme për ruajtjen e besimit dhe forcimin e partneritetit.
“Bashkëpunimi i NATO-s me Serbinë duhet të matet, jo me intensitetin e vizitave apo kontakteve, por me efektet reale në reduktimin e kërcënimeve, respektimin e sigurisë së Kosovës dhe forcimin e stabilitetit rajonal”, ka përfunduar Fetoshi.














