Haxhiu ka bërë të ditur se fillimisht është takuar me eurodeputetët Lukas Mandl dhe Matjaž Nemec, ndërsa më pas ka zhvilluar bisedime edhe me Thijs Reuten dhe Adnan Dibrani.

Gjatë takimeve, sipas Haxhiut, ajo ka theksuar se Kosova nuk kërkon trajtim të veçantë në procesin e integrimit, por një proces të drejtë dhe vlerësim të bazuar në meritë, me kritere të njëjta me ato që zbatohen për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

AD PLACEHOLDER

Kryetarja e Kuvendit i ka falënderuar eurodeputetët për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në mbështetje të Kosovës. Në këtë kontekst, ajo ka përmendur edhe reagimin e tyre lidhur me këngën e interpretuar në hapjen e Forumit të Zgjerimit, për të cilën eurodeputeti Lukas Mandl ka parashtruar edhe një pyetje parlamentare.

Një tjetër temë e diskutimit ishin ligjet që Kuvendi i Kosovës po i shqyrton në kuadër të Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes. Haxhiu ka theksuar rëndësinë e miratimit të tyre për përparimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

Ajo ka kërkuar mbështetjen e eurodeputetëve që kërkesa e Kosovës për anëtarësim të shqyrtohet në Këshillin e Bashkimit Evropian, si dhe angazhimin e tyre pranë pesë shteteve anëtare që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Sipas njoftimit të Haxhiut, eurodeputeti Thijs Reuten, ish-raportues i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, e ka njoftuar atë për përpjekjet që ka bërë edhe në drejtim të sigurimit të mbështetjes për Kosovën.