Hetimi për vrasjen e Arlinda Zekajt, më 27 nëntor dëgjohen katër hetues policorë nga Peja
Komisioni Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt pritet të dëgjojë më 27 nëntor katër hetues policorë nga Peja, ka bërë të ditur kryetari i këtij komisioni, Burim Ramadani.
Ramadani ka njoftuar se pas dëgjimit të hetuesve, gjatë javës pasuese do të ftohen edhe tetë zyrtarë të tjerë nga zinxhiri komandues i Policisë së Kosovës dhe Inspektorati Policor.
Ai ka propozuar që dëgjimi i këtyre tetë zyrtarëve të ndahet në dy ditë, pasi vlerëson se është e pamundur që të gjithë të intervistohen brenda një dite.
“Për të premten e ardhshme, sipas listës së aktiviteteve të kalendarit që e kemi, kemi katër dëgjime të hetuesve policorë në Pejë. [...] Tetë brenda ditës e kemi të pamundur, prandaj duhet t’i ndajmë në dy ditë javën tjetër”, ka deklaruar Ramadani.
Sipas kalendarit të prezantuar në Komision, dëgjimet e zyrtarëve të zinxhirit komandues të Policisë dhe atyre të Inspektoratit Policor janë planifikuar të mbahen nga fundi i nëntorit deri më 4 dhjetor.















