Jakup Krasniqi në Prishtinë, ekipet e EULEX-it dhe policia pranë shtëpisë së tij
Jakup Krasniqi ka mbërritur në Kosovë dhe aktualisht ndodhet në shtëpinë e tij në lagjen Velania, në Prishtinë.
Pranë shtëpisë së tij janë parë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe ekipe të EULEX-it. Në vendin e ngjarjes ndodhet edhe gazetarja e televizionit Dukagjini, Arianitë Zhegrova, e cila po përcjell zhvillimet nga afër.
Krasniqi ishte nisur më herët nga Haga drejt Kosovës, ndërsa ardhjen e tij e kishte konfirmuar për televizionin Dukagjini Nasim Haradinaj.
Në një bisedë telefonike me Dukagjinin, Haradinaj kishte bërë të ditur se ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës po vinte në vend për çështje familjare.
Kjo është hera e dytë që Jakup Krasniqi vjen në Kosovë që nga transferimi i tij në Hagë, ku po përballet me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Herën e parë, Krasniqi kishte qëndruar në Kosovë pas vdekjes së vëllait të tij.
Ndërkohë, ende nuk ka informacione të tjera zyrtare lidhur me kohëzgjatjen e qëndrimit të tij në Kosovë dhe detajet e vizitës.















