Po ashtu, gjatë intervistimit nga Komisioni Hetimor Parlamentar, Kelmendi ka deklaruar se nuk kishte bërë vlerësim të punës së zyrtarëve që ishin të përfshirë në trajtimin e këtij rasti.

Kelmendi, i cili është punësuar në Qendrën për Punë Sociale në vitin 2018, është intervistuar të mërkurën nga Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili po shqyrton veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.

AD PLACEHOLDER

Gjatë përgjigjeve para deputetëve, ai ka folur për organizimin dhe kapacitetet e Qendrës për Punë Sociale në Pejë, duke thënë se në shërbimin që udhëheq janë vetëm katër punëtorë dhe se për shkak të volumit të madh të punës ka mungesë të stafit.

“Në shërbimin tim i kam vetëm katër punëtorë, për shkak të volumit kemi mungesë të punëtorëve. Së pari i kontrolloj dhe jam bashkëpunues me ta”, ka deklaruar Kelmendi.

Një nga çështjet kryesore të ngritura gjatë intervistimit ishte mungesa e planit individual për rastin e Arlinda Zekajt.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, e pyeti Kelmendin nëse legjislacioni parasheh hartimin e një plani të tillë dhe nëse ai ishte përgatitur për rastin konkret.

Në përgjigjen e tij, Kelmendi pranoi se plani individual kishte munguar, ndonëse tha se një pjesë e dokumentacionit ishte plotësuar në një formë tjetër, por jo sipas standardit të kërkuar.

Ai foli edhe për mungesën e psikologes së Qendrës për Punë Sociale, e cila në atë kohë ishte në pushim të lehonisë. Sipas tij, për këtë arsye ishte kërkuar angazhimi i një psikologeje tjetër.

“Po ka pasur, në rastin konkret ka munguar plani. Është obligative, 05 ka qenë i plotësuar, është plotësuar në një formë tjetër jo sipas standardit. Pasi ka përfunduar seanca kam marrë një telefonatë se seanca ka përfunduar për shkak se punëtorja ka munguar. Psikologia e qendrës është në pushim të lehonisë, kemi thirrur psikologen tjetër”, ka thënë ai.

Gjatë seancës, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Kabashi-Ramaj, kërkoi sqarime se për çfarë arsye rasti ishte referuar në Qendrën për Punë Sociale.

Kelmendi deklaroi se rasti ishte raportuar si dhunë në familje dhe se vlerësimin e nivelit të rrezikshmërisë e bën Policia.

“Ka ndodhur rasti, është raportuar si dhunë në familje. Nivelin e rrezikshmërisë e vlerëson policia, çdo informacion që e kemi ia bashkëngjisim, mbetet në vullnetin e punëtorit. E kemi planin e veprimit. QPS në momentin që raportohet rasti së pari i ofrohet siguria”, deklaroi Kelmendi.

Ndërkaq, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, e pyeti nëse ai kishte bërë vlerësim të punës së zyrtarëve që ishin nën përgjegjësinë e tij dhe që ishin përfshirë në rastin e Arlinda Zekajt.

Kelmendi u përgjigj shkurt se një vlerësim i tillë nuk ishte bërë në rastin konkret.

“Po, në rastin konkret jo”, tha ai.

Një tjetër çështje e ngritur gjatë intervistimit ishte numri i rasteve të dhunës që trajtohen nga Qendra për Punë Sociale në Pejë.

Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, kërkoi të dijë se sa raste aktive të dhunës janë aktualisht nën trajtim nga ky institucion.

Kelmendi bëri të ditur se QPS-ja ka gjithsej 73 raste të dhunës, prej të cilave 50 janë aktive. Ai gjithashtu tregoi se institucioni ka gjithsej 1 mijë e 150 dosje për të cilat janë ofruar shërbime.

“Janë 73 raste të dhunës, aktive janë 50. Katër punëtorë i kemi aktivë. Kemi raportime javore të dokumentuara. 70 shërbime janë në QPS. Total 1150 dosje që kemi kryer shërbime aty ndahet secila kategori”, deklaroi ai.

Në fund të intervistimit, Kelmendi bëri të ditur se ndaj punëtorëve të përfshirë në rastin e Arlinda Zekajt është iniciuar procedurë disiplinore.