Katër të arrestuarit për rastin e Arlinda Zekajt, dyshohen për ndihmë në vrasje dhe ndihmë pas kryerjes së krimit
Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se katër persona janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për përfshirje në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Sipas komunikatës, dy nga të ndaluarit, me inicialet N.S. dhe D.S., dyshohen për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale – vrasje e rëndë”.
Ndërkaq, dy personat e tjerë, me inicialet M.P. dhe G.B., dyshohen për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.
Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale që mbështesin dyshimin e bazuar për përfshirjen e tyre në veprat penale për të cilat dyshohen.
“Dy nga personat e ndaluar, me inicialet N. S. dhe D. S., dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘ndihma në kryerjen e veprës penale ‘vrasja e rëndë’’ nga neni 173 paragrafi 1, pika 1.3, 1.4, dhe 1.8 lidhur me nenin 33 të KPRK-së , ndërsa dy personat e tjerë me inicialet M. P. Dhe G. B. dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale’ nga neni 380 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjatë zhvillimit të veprimeve hetimore, janë siguruar prova materiale të cilat mbështesin dyshimin e bazuar se personat e lartcekur kanë qenë të përfshirë në kryerjen e veprave penale për të cilat dyshohen”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, prokurori i rastit ka nxjerrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve, me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të vrasjes.
Brenda afatit ligjor, Prokuroria ka paralajmëruar se do t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të dyshuarve.















