Komandanti i KFOR-it në Tiranë, flet për situatën e sigurisë në Kosovë
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, ka informuar anëtarët e Iniciativës për Bashkëpunim në Mbrojtje (DECI) për rolin e misionit në promovimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.Sipas komunikatës së KFOR-it, Vergori ka marrë pjesë sot në takimin e 14-të të shefave të mbrojtjes të DECI-së, i cili është mbajtur në Tiranë.
Gjatë takimit, komandanti i KFOR-it ka prezantuar një pasqyrë të situatës aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe aktivitetet e përditshme të misionit, duke theksuar se ato bazohen në prioritetet e rishikuara operacionale të KFOR-it.
Vergori ka bërë të ditur se KFOR-i po vazhdon të optimizojë pozicionimin e forcave të tij, në mënyrë që misioni të mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e detyrave.
Ai ka theksuar se ky proces është gradual dhe i bazuar në kushte, por mund të përmbyset nëse zhvillimet e caktuara ndikojnë negativisht në sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal.
Misioni, sipas tij, kontribuon në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e EULEX-it, në kuadër të roleve të tyre përkatëse si mekanizma të reagimit në fushën e sigurisë.















