Kosova pëson rënie në ranglistën e FIFA-s pas humbjes nga Irlanda, Shqipëria ngjitet një pozitë
Kombëtarja e Kosovës ka pësuar rënie në renditjen më të re botërore të FIFA-s, pas rezultateve jo të mira në dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve.
Dardanët kanë humbur dy pozita në ranglistën e publikuar të mërkurën, duke zbritur nga vendi i 76-të në të 78-in.
Në këtë rënie kanë ndikuar barazimi pa gola ndaj Izraelit në stadiumin “Fadil Vokrri”, të shtunën, si dhe humbja 3:0 nga Irlanda, të martën mbrëma në Dublin.
Kosova nuk arriti të shënonte asnjë gol në dy përballjet e nëntorit, duke e mbyllur me rezultate zhgënjyese edicionin e pestë të Ligës së Kombeve.
Ndërkohë, Shqipëria ka regjistruar një ngritje të lehtë në renditjen botërore. Kuqezinjtë janë ngjitur nga pozita e 66-të në vendin e 65-të, duke fituar një pozitë krahasuar me publikimin e mëparshëm.
Sa i përket kreut të ranglistës, nuk ka ndryshime në katër pozitat e para.
Spanja vazhdon të kryesojë renditjen botërore, e ndjekur nga Argjentina në vendin e dytë, Franca në të tretin dhe Anglia në pozitën e katërt.
Ndryshime ka pasur në vendet pesë dhe gjashtë, ku Maroku është ngjitur në pozitën e pestë, duke lënë pas Portugalinë, e cila ka zbritur në vendin e gjashtë.
Renditja e re e FIFA-s pasqyron rezultatet e ndeshjeve të fundit ndërkombëtare, ndërsa Kosova do të synojë të rikuperojë pozitat e humbura në përballjet e ardhshme.















