Vdes 60-vjeçari që u plagos me armë zjarri në Suharekë
Ka ndërruar jetë viktima S.D., rreth 60-vjeçar, i cili u plagos me armë zjarri mesditën e sotme në parkingun e tregut “Ben Center” në Suharekë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore nga të shtënat me armë zjarri dhe ishte dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë, por nuk ka arritur t'u mbijetojë plagëve.
Rasti kishte ndodhur më 18 nëntor, rreth orës 12:20, kur një person kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës.
Pas të shtënave, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe, sipas informacioneve të Policisë, vazhdon të jetë në arrati.
Policia ka bërë sigurimin e vendit të ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti, si dhe identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura motivet që çuan deri te incidenti fatal.















