Kurti prezanton në Kuvend buxhetin 4.27 miliardë euro për 2027
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar në Kuvend Projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën prej 4.27 miliardë eurosh.
Gjatë shqyrtimit të parë të Projektligjit për ndarjet buxhetore, Kurti ka paralajmëruar rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga 1 korriku 2027, si dhe vazhdimin e pagesës së pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik.
Sipas tij, buxheti i propozuar është rreth 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar i vitit 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i këtij viti.
“Ky është për rreth 200 milionë euro më shumë sesa buxheti i rishikuar i vitit 2026, apo 300 milionë euro më shumë se buxheti fillestar i vitit 2026”, deklaroi Kurti.
Ai bëri të ditur se 908 milionë euro janë paraparë për financimin e komunave, duke e cilësuar këtë si nivelin më të lartë të financimit komunal deri më tani.
“Nga ky buxhet, 908 milionë euro do të transferohen drejtpërdrejt për financimin e komunave. Kjo përbën nivelin më të lartë të financimit komunal deri më sot dhe pasqyron rritjen e vazhdueshme të granteve qeveritare, si dhe mbështetjen për ofrimin e shërbimeve publike sa më afër qytetarëve”, tha ai.
Duke folur për pagat dhe mirëqenien e punonjësve publikë, Kurti tha se në buxhetin e vitit të ardhshëm është paraparë vazhdimi i politikës së rritjes së të ardhurave për këtë kategori.
Ai konfirmoi se paga e 13-të do të paguhet gjatë gjysmës së parë të vitit, ndërsa rritja e koeficientit do të nisë në gjysmën e dytë të vitit 2027.
“Sikurse edhe këtë vit, është paraparë pagesa e pagës së 13-të, e krahas saj nga 1 korriku i vitit 2027, koeficienti i pagave do të rritet në 120 euro. Pra, në gjysmën e parë të vitit, punonjësit publikë do ta përfitojnë pagën e 13-të, ndërsa në gjysmën e dytë do të fillojë zbatimi i rritjes së koeficientit që nënkupton rritje të pagës për të gjithë ata që paguhen nga buxheti i shtetit”, deklaroi Kurti.
Për pagat e punonjësve publikë janë ndarë gjithsej 1 miliard e 85 milionë euro.
“Si rezultat, buxheti për paga arrin në 1 miliard e 85 milionë euro, e që i shpërndarë në rreth 85 mijë punonjës publikë, ky nivel i financimit reflekton një pagë mesatare vjetore bruto prej mbi 12 mijë eurosh”, tha kryeministri.
Në prezantimin e Projektbuxhetit për vitin 2027, Kurti ka bërë të ditur edhe rritjen e mbështetjes financiare për ekipet mbrojtëse të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
“Në këtë buxhet kemi paraparë gjithashtu edhe rritjen e mbështetjes financiare për ekipet mbrojtëse të 4 ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në përputhje me kërkesat e paraqitura nga vetë ekipet mbrojtëse. Për angazhimin dhe mbështetjen e mëtejshme në këtë proces, presim edhe strategjinë e grupit punues të kryesuar nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca”, tha Kurti.















