Lëshohen patentë-shoferët e parë profesionalë në Kosovë
Shpërndarja e patentë-shoferëve të parë profesionalë u bë sot në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, tha se lëshimi i patentë-shoferëve profesionalë shënon një hap të rëndësishëm edhe në përmirësimin e procedurave administrative, duke u mundësuar qytetarëve që të certifikohen si drejtues profesionalë.
Ai shtoi se ky proces është rezultat i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme, përmes Agjencisë së Regjistrimit Civil, dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, me synim ofrimin e shërbimeve më efikase dhe lehtësimin e procedurave për qytetarët.
Të gjithë qytetarët që dëshirojnë të pajisen me patentë-shoferë profesionalë duhet të bëjnë aplikimet përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, ndërsa pas përfundimit të të gjitha procedurave, patentë-shoferi profesional personalizohet përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Me lëshimin e këtij dokumenti, krahas patentë-shoferëve të rregullt dhe atyre ndërkombëtar, arrihet të përmbushet dhe një standard profesional ndërkombëtar në këtë fushë./KP















