“Vendin e ka mbuluar terri”, Tahiri kërkon nga Qeveria ndryshimin e strategjisë energjetike
Deputeti i Aleancës, Arben Tahiri, ka kritikuar mungesën e energjisë elektrike në Kosovë, duke thënë se ndërprerjet e rrymës për orë të tëra po ua vështirësojnë jetën qytetarëve, veçanërisht familjeve në vendbanimet rurale.
Në seancën e Kuvendit, Tahiri ka thënë se ndërprerjet e energjisë nuk po ndodhin vetëm në zonat rurale, por edhe në Prishtinë dhe qytete të tjera.
Ai ka theksuar se çmimi i energjisë elektrike po rëndon veçanërisht familjet me gjendje të vështirë ekonomike.
“Jemi duke e parë që Kosovën, pra vendin tonë të dashur e ka mbuluar terri. Mungesa e energjisë elektrike me orë të tëra, kryesisht në lokacione dhe vendbanime rurale, mirëpo mbrëmë edhe në kryeqytetin Prishtinë, edhe në qytete tjera, realisht është duke e vështirësu jetën e qytetarit të Kosovës në maksimum, duke i detyruar familjet e varfëra që realisht të hyjnë në borxhe për me mujt me e pagu çmimin e energjisë elektrike”, ka deklaruar ai.
Tahiri ka kërkuar nga kryeministri që urgjentisht të nominojë një ekip qeveritar për ndryshimin e Strategjisë së Energjisë 2022-2031 dhe të planit për investime në këtë sektor.
Sipas tij, strategjia duhet të përshtatet me zhvillimet globale dhe ndryshimet në tregun e energjisë.
“Ne e kuptojmë që politika programore e Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë kryesisht në strategjinë e tyre e lidhur me llojllojshmërinë e burimeve energjetike, mirëpo kur e shohim dokumentin strategjik dhe programin qeveritar, strategjinë e vitit 2022-2031, mirëpo edhe programin e qeveritar të fundit, shohim që kjo duhet ndryshuar. Pse duhet qeveria ta ndryshoj strategjinë e vet për investime energjetike? Për shkak se ka ndryshu bota. Për shkak se çdo ditë ministri i Financave del e i thotë qytetarëve të Kosovës që ngritja e çmimeve nuk është faj jonë, ngritja e çmimit të derivateve nuk është faj jonë”, ka deklaruar ai.
Ai ka kritikuar qasjen e Qeverisë, duke thënë se, në njërën anë, zyrtarët qeveritarë i cilësojnë rritjet e çmimeve si pasojë të zhvillimeve globale, ndërsa në anën tjetër nuk po përshtatin strategjinë e investimeve energjetike me këto ndryshime.
“Edhe Qeveria e Kosovës, edhe kërkojë prej kryeministrit urgjentisht të nominojë një ekip qeveritare e cila e ndryshon planin strategjik të qeverisë 2022-2031 dhe rrjedhimisht planin për investime energetike, për shkak se ju vetë po thoni që ka ndryshu bota. Ju vetë po thoni çmimet janë problem global”, ka theksuar ai.















