1. Vazhdimësi e një trashëgimie të begatë të Medreseve tradicionale

Hapja e Medresesë “Alaudin” në Prishtinë, në nëntor të vitit 1951, sikurse u tha, erdhi pas kërkesave dhe përpjekjeve të vazhdueshme të udhëheqësve të Bashkësisë Islame pranë autoriteteve të kohës për të mundësuar shkollimin e kuadrove të nevojshme fetare. Këto përpjekje duhet të shihen në kontekstin e zhvillimeve që kishin ndodhur pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur pushteti i ri komunist, i vendosur në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, kishte ndërmarrë masa të ashpra ndaj institucioneve tradicionale fetare dhe arsimore.

Medresetë historike, të cilat për një kohë të gjatë kishin funksionuar në qytetet tona dhe kishin dhënë kontribut të rëndësishëm në edukimin dhe arsimimin e popullatës, u mbyllën nga pushteti komunist pas ardhjes së tij në pushtet. Mbyllja e këtyre institucioneve nuk mund të shihet e shkëputur nga politika e përgjithshme e pushtetit të ri ndaj fesë dhe institucioneve fetare. Megjithatë, në rastin e Kosovës dhe të shqiptarëve, ajo kishte edhe një dimension tjetër, që lidhej me qëndrimin politik dhe ideologjik të pushtetit komunist jugosllav, e veçanërisht të strukturave serbe, ndaj institucioneve tradicionale shqiptare.

Duhet pasur parasysh se një pjesë e medreseve dhe e myderrizëve të tyre, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në periudhën që i parapriu asaj, kishin zhvilluar veprimtari atdhetare, duke kundërshtuar projektet politike që cenonin lirinë, identitetin dhe interesat kombëtare të shqiptarëve. Për këtë arsye, mbyllja e medreseve historike duhet të trajtohet edhe në kontekstin e përpjekjeve të pushtetit komunist për të goditur institucionet dhe personalitetet që kishin pasur rol në ruajtjen e vetëdijes fetare e kombëtare dhe në përpjekjet për liri, mbijetesë e bashkim të trojeve shqiptare.

Me një fjalë, Medreseja “Alaudin” nuk lindi në një hapësirë pa traditë. Ajo ishte vazhdimësi e medreseve historike që kishin ekzistuar dhe vepruar në trevat tona. Hapja e saj në nëntor të vitit 1951, ndonëse në rrethana të reja dhe me një organizim tjetër, mundësoi vazhdimin e një tradite arsimore e edukative që ishte ndërprerë me mbylljen e institucioneve të mëparshme. Në këtë kuptim, rëndësia e hapjes së Medresesë nuk qëndronte vetëm në krijimin e një shkolle të re, por edhe në sigurimin e vazhdimësisë së arsimit islam në gjuhën shqipe dhe në përgatitjen e kuadrove për nevojat e Bashkësisë Islame.

Funksionimi i Medresesë “Alaudin” në sistemin komunist jugosllav ishte një sfidë më vete. Për ta kuptuar drejt rëndësinë e saj, duhet pasur parasysh qëndrimi përgjithësisht jodashamirës i pushtetit komunist ndaj bashkësive fetare, e në veçanti ndaj fesë islame dhe institucioneve të saj. Nën ndikimin e politikës dhe të historiografisë ruse e serbe, feja islame, kultura, tradita dhe trashëgimia islame, përfshirë edhe institucionet arsimore islame, përkatësisht medresetë, në të shumtën e rasteve paraqiteshin në mënyrë të njëanshme, madje si faktorë përgjegjës për zhvillimet historike që kishin ndodhur në trojet shqiptare.

Ky qëndrim nuk ishte vetëm çështje e propagandës së kohës. Ai ndikonte edhe në mënyrën se si trajtohej trashëgimia islame, kultura fetare dhe roli historik i institucioneve islame në shoqërinë shqiptare. Përveç kësaj, pushteti komunist, si në Beograd, ashtu edhe në Tiranë, kishte marrë përsipër të krijonte atë që në fjalorin ideologjik të kohës quhej “njeriu i ri”, me një botëkuptim dhe identitet të formuar sipas filozofisë marksiste-leniniste. Në këtë kontekst, feja dhe vlerat tradicionale fetare trajtoheshin si pengesë për realizimin e projektit ideologjik të sistemit.

Pikërisht në këto rrethana, në Prishtinë funksiononte një shkollë, fillimisht e rangut më të ulët e më vonë e organizuar si shkollë e mesme, ku mësohej për din e iman, për moralin islam dhe për vlerat hyjnore, por ku njëkohësisht kultivoheshin edhe tradita dhe ndërgjegjja kombëtare. Kjo ishte një veçanti që e dallonte Medresenë nga institucionet e tjera arsimore të sistemit. Në këtë mënyrë, Medreseja, me vetë ekzistencën dhe veprimtarinë e saj, përfaqësonte një alternativë edukative dhe filozofike ndaj doktrinës zyrtare të sistemit komunist.

Megjithatë, këtu duhet bërë një sqarim historik, të cilin e konsiderojmë të domosdoshëm. Medreseja “Alaudin” nuk ishte ndonjë dhuratë, privilegj apo lëshim i veçantë që pushteti jugosllav i Titos ua kishte bërë shqiptarëve. Shkollat fetare për nevojat e bashkësive përkatëse ishin të lejuara në kuadër të sistemit të atëhershëm jugosllav. Kisha Ortodokse Serbe kishte institucionet e veta për përgatitjen e kuadrove fetare; po ashtu, Kisha Katolike Kroate kishte shkollat e saj, ndërsa myslimanët e Bosnjës kishin traditën dhe institucionin e njohur të Medresesë së Gazi Husrev-beut në Sarajevë.

Prandaj, hapja e Medresesë “Alaudin” duhet të shihet në këtë kontekst juridik e institucional, por mbi të gjitha si rezultat i kërkesave, përpjekjeve dhe vizionit të udhëheqësve të Bashkësisë Islame për të siguruar kuadrot e nevojshme për zhvillimin e jetës fetare. E theksoj këtë sepse edhe sot hasim përpjekje të disa “filozofëve”, “studiuesve” e “akademikëve” në Prishtinë, të cilët misionin dhe historinë e Medresesë përpiqen t'i interpretojnë në një kontekst tjetër, duke ia zbehur ose devijuar rëndësinë historike.

Një qasje e tillë nuk i shërben vlerësimit të drejtë të historisë së këtij institucioni. Historia e Medresesë, ashtu si historia e institucioneve të tjera arsimore e kulturore, duhet të trajtohet mbi bazën e rrethanave konkrete të kohës, dokumenteve dhe rolit që ato kanë pasur në shoqëri, e jo sipas qëndrimeve ideologjike apo paragjykimeve të mëvonshme. Kjo sa i përket aspektit fetar të misionit të saj. Ndërsa, sa i përket aspektit kombëtar, Medreseja “Alaudin” e ndau fatin e shkollës shqipe në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare, në periudha të ndryshme dhe në të gjitha nivelet e organizimit të arsimit. Prandaj, kontributi i saj nuk mund të kufizohet vetëm në dimensionin fetar. Ai duhet parë edhe në rrafshin arsimor, kulturor e kombëtar, gjithnjë duke pasur parasysh rrethanat në të cilat ky institucion ka vepruar.

Misioni parësor i Medresesë “Alaudin”, si shkollë e mesme profesionale islame, ishte përgatitja e kuadrove për nevojat e Bashkësisë Islame. Ky ishte një mision jetik për funksionimin dhe zhvillimin e jetës fetare në Kosovë dhe në të gjitha trevat ku vepronte Bashkësia Islame. Në këtë drejtim, udhëheqja e Bashkësisë Islame të kohës, në krye me hafiz Bajram ef. Aganin, dëshmoi një vizion të qartë dhe largpamës. Në rrethana aspak të favorshme politike, ekonomike dhe institucionale, u arrit hapja e Medresesë dhe krijimi i bazës për përgatitjen e brezave të rinj të kuadrove islame.

Kjo nuk ishte vetëm zgjidhje e një nevoje të çastit. Ishte një vendim me rëndësi afatgjatë për të ardhmen e Bashkësisë Islame dhe për vazhdimësinë e misionit të saj në shoqëri. Nëpërmjet Medresesë synohej që të siguroheshin imamë, vaizë, mualimë dhe kuadro të tjera të përgatitura, të cilat do të merrnin përsipër zhvillimin e jetës fetare nëpër xhami, por edhe ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të tjera që do të themeloheshin më vonë për nevojat e Bashkësisë Islame.

  1. Formuese e inteligjencies fetare dhe intelektuale

Një nga veçantitë më të rëndësishme të Medresesë “Alaudin” ishte shtrirja e gjerë gjeografike e nxënësve që ndiqnin mësimet në të. Nga vitet ’50 e deri në vitet ’90, në Medrese u shkolluan nxënës nga pothuajse të gjitha trevat shqiptare të ish-Jugosllavisë. Aty erdhën nxënës nga Dibra, Manastiri, Gostivari, Tetova, Shkupi, Kumanova, Presheva, Bujanoci, Medvegja, Rozhaja, Plava, Gucia, Novi Pazari, Tutini, Sjenica, Prijepolja, Tuzi, Ulqini, Tivari, Ana e Malit dhe Kraja, si dhe nga të gjitha qendrat dhe vendbanimet e Kosovës.

Në këtë mënyrë, Medreseja “Alaudin” u bë një qendër e rëndësishme arsimore, edukative dhe shpirtërore për shqiptarët e hapësirës së atëhershme jugosllave. Nxënësit që vinin nga vise të ndryshme, përveçse mësonin dhe edukoheshin në frymën e vlerave islame, njiheshin me njëri-tjetrin, krijonin miqësi dhe ndërtonin lidhje që në shumë raste vazhdonin gjatë gjithë jetës.

Kjo kishte rëndësi të veçantë në rrethanat politike të kohës, kur shqiptarët jetonin të ndarë në disa njësi administrative dhe përballeshin me pengesa të ndryshme në komunikimin dhe organizimin e tyre të përbashkët kulturor e kombëtar. Medreseja, në këtë kuptim, ishte një hapësirë ku takoheshin dhe njiheshin shqiptarët nga vise të ndryshme, të bashkuar nga gjuha, besimi, kultura dhe përkatësia kombëtare. Këto lidhje kishin edhe një vlerë tjetër. Nxënësit, pasi përfundonin shkollimin dhe ktheheshin në vendbanimet e tyre, bartnin me vete jo vetëm dijen dhe edukatën e fituar, por edhe njohjet, miqësitë dhe frymën e bashkëpunimit që kishin krijuar gjatë viteve të shkollimit në Prishtinë.

Por në Medrese nuk mësonin vetëm nxënës shqiptarë. Në bankat e saj u ulën edhe nxënës boshnjakë nga Sanxhaku, goranë nga Gora, si dhe nxënës turq nga Kosova dhe Maqedonia. Edhe ata përgatiteshin për misionin e tyre të ardhshëm, së bashku me kolegët shqiptarë. Kjo i dha Medresesë një dimension të veçantë të njohjes dhe të respektit të ndërsjellë, së pari ndërmjet nxënësve shqiptarë nga treva të ndryshme dhe pastaj edhe ndërmjet nxënësve me përkatësi të tjera etnike, të cilët i bashkonte besimi islam dhe misioni i përbashkët i shërbimit ndaj komunitetit.

Një vend të veçantë në historinë e Medresesë “Alaudin” zënë myderrizët dhe mësimdhënësit e saj, të cilët, me dijen, përkushtimin dhe punën e tyre, krijuan bazën për funksionimin dhe zhvillimin e këtij institucioni. Në mesin e tyre duhet përmendur hafiz Bajram ef. Aganin, myderriz Rashit ef. Osmanin, myderriz Sherif ef. Ahmetin, myderriz Hasan ef. Nanin, myderriz Sadri ef. Prestreshin dhe shumë të tjerë, të cilët në periudha të ndryshme dhanë kontribut në edukimin dhe arsimimin e brezave.

Këta myderrizë nuk ishin vetëm mësimdhënës të lëndëve fetare. Ata përfaqësonin një traditë të dijes islame, të edukimit, të përgjegjësisë morale dhe të përkushtimit ndaj institucioneve e popullit. Përmes punës së tyre, ata u përcollën nxënësve jo vetëm njohuritë e nevojshme profesionale, por edhe frymën e shërbimit, të përgjegjësisë dhe të përkushtimit ndaj fesë, shoqërisë e atdheut.

Rezultatet e punës së tyre filluan të shiheshin edhe në terren. Kuadrot e para që dolën nga Medreseja u angazhuan nëpër xhamitë e Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare, duke plotësuar nevojat për imamë dhe për udhëheqës të jetës fetare. Në një kohë kur mungesa e kuadrove të përgatitura përbënte një nga problemet më të mëdha të Bashkësisë Islame, Medreseja arriti të siguronte vazhdimësinë e tyre.

Këta imamë, të përgatitur në bankat e Medresesë, u vunë në shërbim të misionit të tyre, duke kontribuar në edukimin dhe fisnikërimin e popullatës, në shpjegimin e urtësive fetare dhe në kultivimin e vlerave hyjnore, morale e shpirtërore. Ky mision zhvillohej në një kohë kur sistemi komunist, përmes institucioneve të tij politike, arsimore e propagandistike, promovonte botëkuptimin materialist dhe doktrinën ateiste. Në këto rrethana, imamët dhe kuadrot e dala nga Medreseja kishin një rol të rëndësishëm në ruajtjen e jetës fetare dhe në përcjelljen e mësimeve islame te brezat e rinj.

Njëkohësisht, shumë prej ish-nxënësve të Medresesë vazhduan shkollimin në fakultete dhe institucione të ndryshme të arsimit të lartë. Kështu, krahas përgatitjes së imamëve dhe kuadrove fetare, Medreseja filloi të krijonte edhe një brez të ri intelektualësh, të cilët do të jepnin kontribut në fusha të ndryshme të jetës institucionale, arsimore dhe kulturore. Në këtë mënyrë, sidomos nga fundi i viteve ’70 dhe gjatë viteve ’80, u krijuan premisat për formimin e kuadrove me arsimim të lartë, të cilat do të merrnin përsipër zhvillimin e mëtejshëm të institucioneve të Bashkësisë Islame.

Ky zhvillim, në njëfarë mënyre, përfaqësonte edhe vazhdimësinë e traditës së myderrizëve të dikurshëm, të cilët kishin marrë ixhazete dhe kishin përfaqësuar nivelin e lartë të dijes islame në institucionet tradicionale arsimore. Tradita e tillë ishte ndërprerë me mbylljen e medreseve historike dhe me ndërhyrjet e pushtetit komunist në organizimin e arsimit fetar pas Luftës së Dytë Botërore. Tashmë, përmes Medresesë “Alaudin” dhe shkollimit të mëtejshëm të kuadrove të saj, po krijoheshin mundësi të reja për vazhdimin dhe zhvillimin e asaj tradite.

Misioni i Medresesë “Alaudin” gjatë periudhës 1951–1990, deri në shembjen e sistemeve komuniste në Evropën Lindore dhe fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, ishte i frytshëm në disa drejtime. Për katër dekada, Medreseja arriti të siguronte vazhdimësinë e kuadrove për Bashkësinë Islame, të përgatiste imamë dhe drejtues të institucioneve fetare, si dhe të krijonte premisat për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit, kulturës dhe veprimtarisë botuese islame në gjuhën shqipe.

Nga bankat e saj dolën kuadro që vazhduan studimet në universitete dhe qendra të ndryshme arsimore, duke fituar njohuri dhe përvoja të reja, të cilat më pas i vunë në shërbim të Bashkësisë Islame. Një pjesë e tyre u angazhuan në institucionet qendrore të Bashkësisë Islame, ndërsa të tjerë në këshillat vendorë, në xhami, në arsim dhe në veprimtarinë botuese.

Gjatë kësaj periudhe u hodhën themelet e një organizimi më të mirë institucional, u zhvillua veprimtaria botuese dhe periodike në gjuhën shqipe, u botuan broshura dhe libra me përmbajtje të ndryshme tematike islame, si dhe u ndërmorën projekte me rëndësi për kulturën dhe arsimin islam. Në këtë drejtim, vend të posaçëm zënë përpjekjet dhe arritjet në përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe, një ndërmarrje me rëndësi kapitale për besimtarët shqiptarë dhe për trashëgiminë tonë fetare e kulturore.

Në anën tjetër, u konsoliduan dhe u fuqizuan këshillat e Bashkësisë Islame në terren, duke krijuar një organizim më të qëndrueshëm institucional dhe duke zgjeruar mundësitë për zhvillimin e jetës fetare. Një pjesë e rëndësishme e këtyre arritjeve lidhet drejtpërdrejt me kontributin e myderrizëve dhe të kuadrove të dala nga Medreseja “Alaudin”.

Kështu, Medreseja, edhe pse veproi në një nga periudhat më të vështira politike dhe ideologjike, arriti të krijonte një dallim të qartë në raport me orientimin ideologjik të sistemit të përgjithshëm arsimor të kohës. Derisa në shkollat shtetërore promovoheshin doktrinat e Marksit, Engelsit e Leninit, teoria e Darvinit dhe interpretimet materialiste të historisë, natyrës e shoqërisë, në Medresenë “Alaudin” kultivoheshin vlerat hyjnore, morale, shpirtërore dhe kombëtare.

Kjo nuk do të thotë se Medreseja ishte jashtë ndikimit dhe kontrollit të sistemit të kohës. Përkundrazi, veprimtaria e saj zhvillohej nën trysninë e vazhdueshme të rrethanave politike dhe ideologjike. Megjithatë, ajo arriti të ruante identitetin dhe misionin e vet, duke dëshmuar se edukimi fetar dhe kultivimi i vlerave kombëtare mund të zhvilloheshin edhe në një mjedis politik që nuk ishte i favorshëm për to.

Në këtë rrugëtim Medreseja u përball me shumë vështirësi dhe sfida, por arriti t'i tejkalonte falë mbështetjes së besimtarëve, përkatësisht popullit të Kosovës, dhe falë vizionit, largpamësisë e sakrificës së myderrizëve dhe drejtuesve të saj. Ata dhanë më të mirën dhe më të shtrenjtën nga vetja për Medresenë dhe nxënësit e saj, duke i krijuar këtij institucioni një traditë që do të vazhdonte edhe në periudhat e mëvonshme.

Një kapitull të veçantë në historinë e Medresesë “Alaudin” përbëjnë vitet ’90 të shekullit të kaluar, kur Kosova dhe populli shqiptar u përballën me një nga periudhat më të rënda të historisë së tyre të re. Suprimimi i autonomisë së Kosovës, instalimi i masave të dhunshme në institucionet publike, përjashtimi i shqiptarëve nga puna, dëbimi i nxënësve dhe studentëve nga objektet shkollore e universitare, si dhe represioni i vazhdueshëm i regjimit serb, krijuan rrethana jashtëzakonisht të vështira për jetën dhe veprimtarinë e përgjithshme të shqiptarëve.

Në këto rrethana, kur pushteti serb synonte kontrollin politik, administrativ, arsimor dhe kulturor të Kosovës, Medreseja “Alaudin” vazhdoi misionin e saj edukativo-arsimor, duke marrë njëkohësisht edhe përgjegjësi të tjera që i imponoheshin nga gjendja e rëndë e vendit. Ajo tashmë kishte një traditë katërdekadëshe, një përvojë të konsoliduar në organizimin e procesit mësimor dhe një autoritet të fituar në mesin e besimtarëve dhe të popullit në përgjithësi.

Në kohën kur arsimi shqip po përjetonte një nga goditjet më të rënda, Medreseja mbeti pjesë e përpjekjeve të përgjithshme për ruajtjen e shkollës shqipe, të identitetit kombëtar dhe të së drejtës për arsimim. Pikërisht në këtë periudhë u dëshmua edhe më qartë rëndësia e vendimit historik të udhëheqësve të Bashkësisë Islame për hapjen e Medresesë më 1951.

Kuadrot që kishin dalë nga bankat e saj gjatë katër dekadave të mëparshme tashmë ishin të pranishme në pothuajse të gjitha trevat shqiptare, jo vetëm si imamë, vaizë e mësimdhënës, por edhe si veprimtarë të arsimit, të kulturës, të publicistikës dhe të çështjes kombëtare. Në vitet ’90, kur shqiptarët e Kosovës po organizonin jetën e tyre institucionale jashtë strukturave të kontrolluara nga pushteti serb, roli i Bashkësisë Islame dhe i kuadrove të dala nga Medreseja mori rëndësi të veçantë.

Xhamitë, institucionet dhe strukturat e Bashkësisë Islame, krahas misionit të tyre parësor fetar, u bënë edhe hapësira të solidaritetit, të ndihmës dhe të mbështetjes për popullatën që po përballej me pasojat e represionit serb. Në këtë drejtim, kontribut dhanë edhe ish-nxënësit e Medresesë, të cilët shërbenin nëpër xhamitë dhe institucionet e Bashkësisë Islame anekënd Kosovës. Ata, përveç kryerjes së detyrave fetare, u gjendën pranë popullatës në kohët më të vështira, duke ndihmuar në ruajtjen e qëndresës, të dinjitetit dhe të shpresës për liri.

Kjo ishte dëshmi se edukimi që kishin marrë në Medrese nuk kufizohej vetëm në përvetësimin e njohurive fetare, por përfshinte edhe përgjegjësinë ndaj shoqërisë, ndaj popullit dhe ndaj atdheut. Në fakt, kjo frymë nuk ishte diçka e re për Medresenë “Alaudin”. Ajo ishte kultivuar që nga brezat e parë të nxënësve dhe myderrizëve të saj, të cilët, krahas edukimit në frymën e vlerave hyjnore, kishin përcjellë te nxënësit edhe dashurinë për gjuhën, historinë, kulturën dhe identitetin kombëtar. Pikërisht në vitet ’90, këto dy dimensione të misionit të Medresesë, ai fetar dhe ai kombëtar, u dëshmuan si vlera të pandashme.

Një zhvillim tjetër me rëndësi ishte edhe zgjerimi i mundësive për arsimimin e vajzave, duke e shtrirë misionin edukativo-arsimor të Medresesë edhe në këtë drejtim. Kjo i dha një dimension të ri rolit të saj në shoqëri, duke mundësuar përgatitjen e brezave të rinj të vajzave me arsimim fetar dhe të përgjithshëm.

  1. Në shërbim të lirisë dhe të shtetësisë

Mirëpo, kur flasim për Medresenë “Alaudin” në vitet ’90, duhet theksuar edhe një dimension tjetër i veprimtarisë së saj, i cili meriton të trajtohet dhe të vlerësohet në kontekstin e rrethanave të asaj kohe. Në vitet e rënda të pushtimit serb të Kosovës, Medreseja, përtej misionit të saj parësor, mori përsipër që të vihej në dispozicion të lëvizjeve për lirinë e Kosovës dhe të institucioneve që po organizoheshin për të mbrojtur të drejtat e mohuara të popullit shqiptar.

Në këto rrethana, Medreseja nuk hezitoi t'i hapte dyert e saj për studentët e Universitetit të Prishtinës, të cilët me dhunë ishin nxjerrë nga konviktet e tyre. Për t'u dalë në ndihmë studentëve, Medreseja ndërpreu procesin e rregullt mësimor dhe konviktin e saj e vuri në dispozicion të tyre. Ky ishte një vendim me rëndësi të veçantë, i cili nuk mund të vlerësohet vetëm si gjest solidariteti apo si ndihmë e përkohshme për studentët. Në rrethanat e asaj kohe, kur pushteti serb po përpiqej ta paralizonte arsimin shqip dhe ta pengonte funksionimin e institucioneve të Kosovës, një veprim i tillë përfaqësonte qëndrim institucional në mbrojtje të arsimit, të Universitetit dhe të së drejtës së shqiptarëve për të mbajtur gjallë institucionet e tyre.

Medreseja u bë kështu strehë e studentëve, por edhe hapësirë në të cilën gjetën mbështetje veprimtaritë e shumta institucionale, arsimore, shkencore, kulturore dhe kombëtare. Institucionet arsimore të vendit, e posaçërisht Universiteti i Prishtinës, kishin në dispozicion hapësira dhe zyra të Medresesë për të organizuar vazhdimin e veprimtarisë së tyre. Po ashtu, në Medrese gjetën hapësirën e nevojshme edhe partitë politike që po themeloheshin dhe po organizonin veprimtarinë e tyre në ato vite të vështira.

Për një periudhë të gjatë, në hapësirat e Medresesë u zhvilluan edhe veprimtari akademike, shkencore e kulturore. Aty zhvilluan veprimtarinë e tyre, për periudha të ndryshme, edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë, shoqata e sindikata të ndryshme, teatro, shoqëri kulturore e artistike dhe institucione e organizime të tjera të jetës publike të Kosovës.

Natyrisht, Medreseja nuk i kishte të gjitha kapacitetet dhe kushtet e nevojshme për ta përballuar një mision kaq të gjerë. Ajo ishte një shkollë e mesme islame, e ngritur dhe e organizuar për nevojat e edukimit e të arsimimit fetar. Por koha dhe rrethanat ia imponuan një mision shumë më të gjerë, ndërsa Medreseja dhe drejtuesit e saj nuk iu shmangën kësaj përgjegjësie. Përkundrazi, ajo u vu në shërbim të kauzës kombëtare, të arsimit, të shkencës, të kulturës dhe të jetës akademike, duke u bërë një nga hapësirat ku mbaheshin gjallë institucionet, vlerat dhe aspiratat e popullit të Kosovës.

Në një kohë kur pushteti serb synonte t'ua mohonte shqiptarëve të drejtën për arsim, për organizim institucional, për shkencë, kulturë dhe jetë publike, Medreseja, me gjithë kapacitetet e saj, u vu në shërbim të mbrojtjes dhe të vazhdimësisë së këtyre të drejtave. Në këtë kuptim, kontributi i saj gjatë viteve ’90 nuk ishte vetëm kontribut humanitar, arsimor apo institucional. Ai ishte edhe kontribut në ruajtjen e vazhdimësisë institucionale të Kosovës dhe, rrjedhimisht, në proceset që i paraprinë shtetformimit të saj. Kjo pjesë e veprimtarisë së Medresesë meriton të zërë vendin e duhur në historinë e arsimit, të institucioneve dhe të qëndresës kombëtare të Kosovës.

Një veprimtari e tillë e Medresesë nuk mund të kalonte pa u vënë në shënjestër të pushtetit serb. Për shkak të rolit të saj në mbështetjen e institucioneve, të studentëve dhe të veprimtarive kombëtare, Medreseja gjatë viteve ’90 ishte vazhdimisht nën presionin, mbikëqyrjen dhe kërcënimet e organeve serbe të pushtetit. Ky presion nuk kufizohej vetëm në pengimin e veprimtarisë së saj institucionale. Autoritetet serbe ndalonin, merrnin në biseda informative, kërcënonin dhe keqtrajtonin edhe drejtuesit e saj.

Në këtë kontekst duhet përmendur Resul Rexhepin, Qazim Qazimin dhe Naim Tërnavën, të cilët në atë periudhë të vështirë e sfiduese ishin në drejtimin e Medresesë dhe u përballën me presionin e vazhdueshëm të pushtetit serb. Megjithatë, as presioni, as kërcënimet dhe as dhuna nuk arritën ta largonin Medresenë nga misioni që kishte marrë përsipër. Ajo vazhdoi të mbetej hapësirë e rëndësishme e organizimit institucional, arsimor dhe kombëtar të shqiptarëve të Kosovës.

Një nga dëshmitë më domethënëse të këtij roli lidhet me përgatitjet për mbajtjen e mbledhjes konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e vitit 1992. Përgatitjet e fundit për mbajtjen e kësaj mbledhjeje u zhvilluan në Medrese, e cila kishte vënë hapësirat e saj në dispozicion të këtij procesi me rëndësi politike e shtetformuese. Mirëpo, vetëm një natë para mbajtjes së mbledhjes së planifikuar, Medreseja u rrethua nga forcat serbe të sigurisë. Drejtues dhe pjesëtarë të personelit të saj u arrestuan, ndërsa hapësirat e Medresesë iu nënshtruan kontrollit, duke pamundësuar mbajtjen e mbledhjes konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës në atë objekt.

Kjo ngjarje dëshmon vendin që kishte zënë Medreseja në proceset politike dhe institucionale të Kosovës. Një institucion i themeluar për edukimin dhe arsimimin islam ishte bërë hapësirë ku po përgatitej një nga aktet e rëndësishme të organizimit shtetëror të shqiptarëve të Kosovës. Pikërisht këtu qëndron edhe rëndësia e kontributit të Medresesë në planin historik. Ajo nuk ishte vetëm dëshmitare e zhvillimeve politike e kombëtare, por edhe mbështetëse e drejtpërdrejtë e proceseve që synonin realizimin e të drejtave dhe të vullnetit politik të popullit të Kosovës.

Kontributi i Medresesë gjatë viteve ’90 nuk u kufizua vetëm në mbështetjen e institucioneve arsimore, shkencore, kulturore e politike. Ajo ishte edhe një qendër që, në forma të ndryshme dhe me mundësitë që kishte, mbështeti lëvizjen studentore dhe përpjekjet e përgjithshme për lirinë e Kosovës. Në këtë kuadër, vend të veçantë zë edhe mbështetja për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Medreseja dhe kuadrot e dala nga ajo u bënë pjesë e përpjekjeve të përgjithshme për çlirimin e vendit, ndërsa radhëve të UÇK-së iu bashkuan edhe nxënës të Medresesë.

Kjo përbënte vazhdimësi të frymës së përgjegjësisë ndaj popullit dhe atdheut, të cilën ky institucion e kishte kultivuar ndër breza. Në rrethanat e luftës, kur çështja e lirisë dhe e mbijetesës së popullit shqiptar kishte marrë përmasa vendimtare, kontributi i Medresesë dhe i kuadrove të saj u shfaq edhe në forma të tjera të mbështetjes morale, shpirtërore e humanitare. Për këtë arsye, historia e Medresesë gjatë viteve ’90 dhe gjatë luftës së Kosovës duhet parë si pjesë e historisë së përgjithshme të qëndresës dhe të përpjekjeve për çlirimin e vendit.

Ajo është një histori që meriton të dokumentohet dhe të vlerësohet me kujdes, jo vetëm për t'ia njohur meritat këtij institucioni, por edhe për ta plotësuar pasqyrën historike të rolit që institucionet fetare, arsimore dhe kuadrot e tyre luajtën në periudhën vendimtare të historisë së re të Kosovës.

Medreseja “Alaudin” arriti ta përjetonte fundin e sistemit komunist, i cili për dekada kishte propaganduar botëkuptimin materialist dhe filozofinë ateiste. Ajo arriti t'i përballonte edhe vitet e rënda të pushtimit serb, duke mbetur një hapësirë e rëndësishme e mbështetjes së institucioneve, të arsimit dhe të përpjekjeve kombëtare të popullit të Kosovës. Në këto rrethana, Medreseja dëshmoi se misioni i saj nuk ishte i shkëputur nga fati i popullit të vet. Përkundrazi, në momentet më të vështira, ajo ishte në shërbim të drejtpërdrejtë të tij, duke vënë në dispozicion jo vetëm hapësirat dhe kapacitetet institucionale, por edhe përkushtimin e drejtuesve, mësimdhënësve dhe kuadrove të saj.

Me çlirimin e Kosovës, në qershor të vitit 1999, për Medresenë u hap një kapitull i ri. Në Kosovën e lirë, ajo iu rikthye misionit të saj parësor: edukimit dhe arsimimit të brezave të rinj, përgatitjes së kuadrove për nevojat e Bashkësisë Islame dhe kultivimit të vlerave hyjnore, morale, shpirtërore e kombëtare. Rrethanat e reja i krijuan mundësi që ta vazhdonte dhe ta zhvillonte veprimtarinë e saj në kushte të tjera, duke ruajtur trashëgiminë dhe traditën e krijuar ndër dekada.

Në këtë periudhë, Medreseja vazhdoi të kontribuonte në formimin e kuadrove të reja, të cilat, krahas angazhimit në institucionet e Bashkësisë Islame, vazhduan shkollimin edhe në universitete dhe institucione të tjera të arsimit të lartë, brenda dhe jashtë vendit. Kështu, misioni i saj edukativo-arsimor vazhdoi të kishte rëndësi jo vetëm për jetën fetare, por edhe për shoqërinë në përgjithësi.

Në një Kosovë të lirë dhe më pas të pavarur, Medreseja hyri në një etapë të re të historisë së saj, me mundësi të tjera zhvillimi, por edhe me përgjegjësi dhe sfida të reja. Ndryshimi i rrethanave politike nuk e ndryshoi thelbin e misionit të saj. Ajo vazhdoi të mbetej institucion i dijes, i edukimit dhe i formimit të brezave të rinj, me synimin që nxënësit e saj të jenë të përgatitur profesionalisht, të edukuar në frymën e vlerave islame dhe të vetëdijshëm për përgjegjësitë që kanë ndaj familjes, shoqërisë dhe atdheut.

  1. Vendi i saj në historinë e arsimit dhe të Kosovës

Sot, në 75-vjetorin e hapjes së Medresesë “Alaudin”, me respekt dhe mirënjohje kujtojmë dhe vlerësojmë kontributin e këtij institucioni, i cili tashmë ka hyrë në çerekun e fundit të shekullit të parë të veprimtarisë së tij. Historia e saj është histori e përkushtimit, e punës dhe e sakrificës së myderrizëve, drejtuesve, mësimdhënësve dhe të gjithë atyre që, në periudha të ndryshme, kontribuuan që Medreseja ta ruante dhe ta zhvillonte misionin e vet.

Mbi të gjitha, kjo histori është e pandashme nga kujdesi dhe mbështetja që Medreseja ka gëzuar vazhdimisht nga besimtarët dhe populli i Kosovës, si dhe nga shqiptarët e viseve të tjera. Pa këtë mbështetje, pa përkushtimin e drejtuesve dhe pa sakrificën e myderrizëve të saj, do të ishte vështirë të mendohej që një institucion i tillë të mbijetonte dhe të zhvillohej në rrethanat historike nëpër të cilat kaloi.

Vlerësimi për Medresenë “Alaudin” nuk duhet të kufizohet vetëm në rezultatet e saj arsimore, në numrin e nxënësve që kanë përfunduar shkollimin apo në kuadrot që ajo ka përgatitur për nevojat e Bashkësisë Islame. Ai duhet të shtrihet edhe në kontributin e saj për ruajtjen e arsimit islam në gjuhën shqipe, për kultivimin e vlerave fetare e kombëtare, për lidhjen dhe afrimin e shqiptarëve nga trevat e ndryshme, për zhvillimin e institucioneve të Bashkësisë Islame, si dhe për mbështetjen që u dha institucioneve dhe përpjekjeve për lirinë dhe shtetformimin e Kosovës.

Në këtë kuptim, historia e Medresesë nuk është vetëm histori institucionale e Bashkësisë Islame. Ajo është pjesë e historisë së arsimit, të kulturës, të qëndresës dhe të zhvillimeve kombëtare të Kosovës. Për shtatë dekada e gjysmë, Medreseja u përball me sisteme politike, me ideologji dhe me rrethana të ndryshme historike, por arriti të ruante vazhdimësinë, identitetin dhe misionin e saj.

Në sistemin komunist ajo kultivoi dijen dhe vlerat hyjnore, morale e kombëtare; në vitet e pushtimit serb u bë strehë e studentëve dhe e institucioneve të Kosovës, si dhe mbështetëse e përpjekjeve për liri; ndërsa në Kosovën e lirë iu rikthye misionit të saj parësor, duke vazhduar edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj. Kjo vazhdimësi përbën një nga dëshmitë më domethënëse të rolit institucional dhe shoqëror të Medresesë “Alaudin”.

Përfundim

Në fund të fundit, historia 75-vjeçare e saj është edhe histori e besimit, e sakrificës dhe e përkushtimit të një populli për të ruajtur të drejtën e vet për arsimim, për besim dhe për kultivimin e vlerave të veta. Medreseja “Alaudin” dëshmoi se edukimi në frymën e vlerave hyjnore nuk është në kundërshtim me vetëdijen kombëtare dhe atdhedashurinë. Përkundrazi, në këtë institucion, përkushtimi fetar, përgjegjësia ndaj shoqërisë dhe dashuria për atdheun u kultivuan së bashku, duke u bërë pjesë e formimit të brezave të tërë.

Sot, Medreseja është e pranishme në jetën fetare, arsimore, kulturore dhe shoqërore përmes kuadrove të saj dhe përvojës së krijuar gjatë 75 vjetëve të veprimtarisë, duke shërbyer edhe si një përvojë e vlefshme për medresetë simotra. Në këtë përvjetor, krahas mirënjohjes për të kaluarën, duhet të kemi parasysh edhe përgjegjësinë për të ardhmen. Medreseja “Alaudin” duhet të vazhdojë të mbetet institucion i dijes dhe i edukimit, i përgatitjes së kuadrove të reja, i kultivimit të vlerave hyjnore, morale e shpirtërore, si dhe i dashurisë për gjuhën, kulturën dhe atdheun.

Kjo është trashëgimia që na lanë themeluesit, drejtuesit dhe myderrizët e saj. Kjo është edhe përgjegjësia e brezave të sotëm dhe e atyre që do të vijnë. Në këtë 75-vjetor, duke nderuar të gjithë ata që kontribuuan në historinë e saj, i urojmë Medresesë “Alaudin” që të vazhdojë me sukses misionin e saj, të presë edhe shumë përvjetorë, dekada e shekuj, duke mbetur në shërbim të fesë, dijes, edukimit, popullit dhe atdheut.

Historia 75-vjeçare e Medresesë “Alaudin” dëshmon se vazhdimësia e një institucioni nuk matet vetëm me vitet e ekzistencës së tij, por edhe me aftësinë për t'iu përgjigjur nevojave të kohës, duke ruajtur misionin, vlerat dhe përgjegjësinë ndaj shoqërisë.