Kjo hapësirë që zakonisht shfrytëzohet nga qytetarët po synohet të kthehet në parking e banesa kolektive në Ulpianë.

Këtë ka planifikuar Komuna e Prishtinës si projekt për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Ndonëse këto të fundit, vet kryetari Rama po paralajmëron që mund të anulohen, nga projekti s’po heq dorë.

Madje u takua edhe me banorët të cilët i bën me dije që e kundërshtojnë këtë projekt.

“Është krim me ndërtu këtu unë jam rrit në këtë lagje kjo është ikon është krim nuk do e lejojmë asnjë ndërtim që e prish këtë lagje kaq të vjetër”.

E, Drita Hajdari nga Këshilli i lagjes përmes telefonit i tha televizionit që nuk ka asnjë marrëveshje me kryetarin për këtë projekt.

Madje së shpejti do të nënshkruhet edhe një peticion kundër ndërtimit të banesës e të parkingut.

Kundër këtij projekti janë edhe Lëvizja Vetëvendosje në kryeqytet.

Gëzim Sveçla shef i asamblistëve nuk kurseu kritikat për kryetarin Rama.

“Manipulim tipik, manipulim klasik i atij që tashmë jemi mësu me manipulimet e tij me Përparim Ramën. Ai projekt s’ka të bëj fare me lojërat mesdhetare këtë e ka thënë edhe ministria përderisa banorët janë kundër projektit, ai s’është i nevojshëm për këto lojëra i bie që është kryekëput i Përparim Ramës dhe miqve të tij”, ka theksuar Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të VV-së.

Sveçla foli edhe për seancën e ardhshme të kuvendit komunal.

“Ne në seancën e radhës që mbahet me 30 nëntor do ta propozojmë që si pikë e rendit të ditës të futet edhe anulimi i vendimit që është marr në seancën e jashtëzakonshme”, ka theksuar ai.

Dukagjini ka provuar të marr një qëndrim edhe nga Komuna e Prishtinës rreth këtij projekti dhe planifikimeve tutje por të njëjti as pas tre ditësh nuk kanë kthyer përgjigje.

Njësoj kanë vepruar edhe nga Ministria e Rinisë e Sportit të cilët nuk treguan nëse kanë pranuar ndonjë njoftim nga ICMG.