Policia mbyll 15 lokale, arrestohen tetë persona për prostitucion
Policia e Kosovës ka realizuar planin operativ “Vjeshta 2026”, në kuadër të luftimit të trafikimit me qenie njerëzore, gjatë të cilit janë kontrolluar 40 lokale të muzikës live dhe 62 qendra masazhi në tërë vendin.
Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është zhvilluar nga 3 deri më 17 nëntor, në bashkëpunim me inspektorë të disa institucioneve, përfshirë Inspektoratin e Tregut, Inspektoratin e Punës dhe Administratën Tatimore të Kosovës.
Gjatë kontrolleve në lokalet e muzikës live janë hasur 285 persona, prej tyre 223 femra dhe 62 meshkuj. Në mesin e tyre, 117 ishin shtetas të Kosovës, ndërsa 168 shtetas të huaj. Për shkelje administrative, inspektorët kanë mbyllur tetë lokale.
Ndërkaq, në 62 qendrat e masazhit janë identifikuar 120 persona, përfshirë 94 femra dhe 26 meshkuj. Prej tyre, 73 ishin shtetase të Kosovës dhe 47 shtetase të huaja. Shtatë qendra masazhi janë mbyllur për shkelje administrative.
Gjatë operacionit janë evidentuar edhe katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion” – Eskorta, me ç’rast janë arrestuar tetë persona: katër meshkuj dhe katër femra.
Policia bëri të ditur se ndaj të dyshuarve janë dorëzuar fletëparaqitje në gjykatë dhe atyre u janë shqiptuar gjoba. Ndërsa shtetaseve të huaja, krahas gjobave, u janë shqiptuar edhe masat e dëbimit nga Kosova dhe ndalimit të hyrjes në vend për periudha nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Sipas Policisë, gjatë kontrolleve punëtoreve në lokalet e muzikës, qendrat e masazhit dhe shërbimet eskortë u është ofruar mundësia të deklarohen nëse janë viktima të ndonjë forme të shfrytëzimit apo trafikimit me qenie njerëzore. Megjithatë, nuk është identifikuar asnjë rast i tillë.















