Prebreza kërkoi ndëshkimin e stafit të gjimnazit, dorëhiqet drejtori i Arsimit: Kërkesat ishin të paarsyeshme
Drejtori i Arsimit në Fushë-Kosovë, Sabri Xhigoli, ka dhënë dorëheqje pas situatës së krijuar lidhur me ceremoninë e organizuar për shënimin e 28 Nëntorit në gjimnazin “Hivzi Sylejmani”.
Xhigoli ka konfirmuar dorëheqjen, duke thënë se një nga arsyet që e ka shtyrë të marrë këtë vendim ishte situata e krijuar pas kërkesës së kryetarit të komunës, Valon Prebeza, për dorëheqjen e drejtorit të shkollës dhe masa ndaj personelit që nuk mori pjesë në ceremoni.
Ai ka vlerësuar kolektivin e gjimnazit, ndërsa ka konsideruar të paarsyeshme kërkesat e kryetarit të komunës ndaj stafit të shkollës.
“E kam dhënë dorëheqjen, por kam dhënë për shkak të situatës së djeshme. Dje ishte njëra nga arsyet që kam dhënë. Unë e vlerësoj shumë stafin e Hivzi Sylejmanit. Shumë është kërkuar dorëheqja sikur kanë munguar mësimdhënësit dhe nxënësit dje. Por kjo nuk është bërë nën patronatin e Drejtorisë së Arsimit, por të Kulturës”, ka thënë Xhigoli për Nacionalen.
Situata u krijua pasi Prebeza, gjatë ceremonisë për 28 Nëntorin, kërkoi dorëheqjen e drejtorit të gjimnazit “Hivzi Sylejmani”, Amir Pllana, si dhe vërejtje për personelin që nuk ishte i pranishëm në aktivitet.
Pas kësaj, Pllana reagoi publikisht, duke mohuar se e kishte bojkotuar ceremoninë. Ai tha se kishte qenë i pranishëm dhe se shkolla kishte kontribuar në përgatitjen dhe organizimin e manifestimit.














