Sulmi ndodhi të premten në mbrëmje, ndërsa viktimat janë një djalë shtatëvjeçar dhe një grua 20-vjeçare. Lajmin e kanë bërë të ditur të shtunën zyrtarët lokalë.

Kreu i administratës ushtarake rajonale, Oleksandr Hanzha, ka njoftuar se në mesin e të plagosurve janë edhe gjashtë fëmijë.

Ndërkaq, kreu i administratës së qytetit, Oleksandr Vilkul, ka bërë të ditur se nga sulmi janë shkaktuar katër vatra zjarri dhe janë dëmtuar rreth 25 ndërtesa banimi, një spital, shkolla, një objekt industrial, biznese dhe automjete.

Sipas Vilkulit, sulmet kanë vazhduar edhe pasi ekipet emergjente dhe të shpëtimit kanë nisur operacionin në vendin e ngjarjes.

“Fillimisht, dy raketa balistike. Më pas, kur filloi operacioni emergjent dhe i shpëtimit, edhe tri raketa të tjera goditën mjekët, shpëtimtarët dhe punëtorët e shërbimeve komunale”, ka shkruar ai në Telegram.

Pamjet e publikuara nga dega rajonale e Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës shfaqin ekipet e ambulancës dhe zjarrfikësit duke u përballur me zjarret, ndërsa në zonë duket se ka pasur edhe goditje të tjera.