Shtatë raste të dhunës në familje raportohen brenda 24 orëve në Kosovë
Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Tri raste janë raportuar në Prishtinë, ndërsa nga një rast në Lipjan, Viti, Kaçanik dhe Gjakovë.
Në Prishtinë, në dy raste të ndara, dy burra dyshohet se kanë ushtruar dhunë psikike, përkatësisht dhunë psikike dhe fizike ndaj grave. Në rastin e tretë, një grua dyshohet se ka sulmuar fizikisht një burrë pas një mosmarrëveshjeje.
Në Lipjan, dy persona, një burrë dhe një grua, dyshohet se kanë ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj një gruaje, e cila ka pranuar tretman mjekësor.
Në Viti, një burrë ka kërkuar ndihmë mjekësore pasi dyshohet se është lënduar nga një burrë tjetër. I dyshuari është arrestuar dhe nga ai është konfiskuar mjeti që dyshohet se është përdorur në rast. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje, ndërsa viktima është dërguar për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Një rast tjetër është raportuar në Kaçanik, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërkaq, në Gjakovë, një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj një gruaje. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor.
Sipas Policisë, në rastet e raportuara në Prishtinë, Lipjan dhe Gjakovë, pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, palët janë liruar dhe rastet do të procedohen në procedurë të rregullt.














