Tahiri me vizatim shpjegon në Kuvend përgjegjësitë e Qeverisë dhe Parlamentit ndaj Shërbimit Civil
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka vendosur para foltores së Kuvendit një letër të madhe me një trekëndësh të vizatuar, përmes së cilës ka ilustruar përgjegjësitë e institucioneve në përzgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve publikë.
Gjatë fjalimit të tij, Tahiri ka shpjeguar raportin ndërmjet Qeverisë, Kuvendit dhe Këshillit të Pavarur, të cilin e cilësoi si institucion që mbron interesat e rreth 82 mijë të punësuarve në Shërbimin Civil.
Ai tha se Qeveria është përgjegjëse për rekrutimin e shërbyesve civilë dhe për emërimin e anëtarëve të agjencive ekzekutive, ndërsa Kuvendi ka kompetencën për zgjedhjen e zyrtarëve të lartë publikë në institucionet e pavarura.
“Ky Këshill është gjykata e 82 mijë të punësuarve në Shërbim Civil. Nëse e shihni poshtë trekëndëshin, e keni një institucion që është Qeveria e Kosovës, e cila është përgjegjëse për rekrutimin e shërbyesve civilë, por në të njëjtën kohë edhe për emërimin dhe përzgjedhjen e anëtarëve të agjencive të ndryshme ekzekutive, ndërsa në anën tjetër jem ne, parlamenti, i icli e ka të drejtën për të zgjedhur kryesisht zyrtarë të artë publikë që janë në institucionet tona të pavarura, një institucion i tillë është edhe ky institucion”, ka deklaruar Tahiri.















