Në një intervistë ekskluzive për Fox News të dielën, Trump ka akuzuar negociatorët iranianë se po zvarrisin bisedimet, ndërsa, sipas tij, po vazhdojnë të përshkallëzojnë tensionet.

“Ata janë më agresivë tani sesa para zgjedhjeve”, ka deklaruar Trump, duke i cilësuar zyrtarët iranianë si “profesionistë të shmangies së përgjegjësisë”.

“Ata flasin gjatë gjithë kohës. E vetmja gjë që bëjnë është të flasin, por e gjithë kjo është e pakuptimtë”, ka shtuar ai.

Deklaratat e Trumpit vijnë në kohën kur Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë bllokadën detare ndaj porteve iraniane, në kuadër të tensioneve më të gjera në Ngushticën e Hormuzit.

Presidenti amerikan ka parashikuar se sulmet reciproke mes forcave amerikane dhe atyre iraniane do të vazhdojnë. Ai gjithashtu ka sfiduar Teheranin që të tentojë ta thyejë bllokadën detare amerikane.

“Shpresoj ta bëjnë këtë. Të gjithë do të përfundojnë në fund të detit, ashtu si pjesa tjetër e marinës së tyre”, ka thënë Trump, duke iu referuar mundësisë që forcat iraniane të përballen me bllokadën amerikane.

Ndërkohë, në disa qytete të Iranit kanë rifilluar protestat kundër qeverisë. I pyetur për trazirat e reja në vend, Trump u është drejtuar drejtpërdrejt protestuesve me mesazhin: “Vazhdoni të protestoni”