Vitamina D në verë dhe dimër, studimi zbulon kur niveli i saj tregon më shumë për shëndetin
Nivelet e ulëta të vitaminës D gjatë muajve të verës mund të jenë një sinjal më shqetësues për shëndetin sesa vlerat e ulëta gjatë dimrit, sipas një studimi të ri shkencor nga Suedia.
Një studim i ri i publikuar në revistën shkencore “PLOS Medicine” sugjeron se koha kur matet niveli i vitaminës D në gjak mund të ketë rëndësi të madhe në vlerësimin e shëndetit.
Studiuesit nga Universiteti i Uppsala-s në Suedi analizuan të dhënat e më shumë se 12 mijë personave të moshuar, duke shqyrtuar lidhjen mes niveleve të vitaminës D, frakturave të kockave dhe vdekshmërisë.
Rezultatet treguan se personat që kishin nivele të ulëta të vitaminës D gjatë verës kishin rrezik më të lartë për fraktura dhe vdekje gjatë periudhës së ndjekjes, e cila zgjati mesatarisht rreth 11 vjet.
Ndërkohë, te personat që rezultonin me nivele të ulëta gjatë dimrit nuk u vu re e njëjta lidhje me rritjen e rrezikut.
Sipas studiuesve, kjo mund të shpjegohet me faktin se gjatë muajve me më shumë diell organizmi krijon rezerva të vitaminës D, të cilat mund t'i përdorë edhe gjatë dimrit, kur ekspozimi ndaj rrezeve të diellit është më i kufizuar.
Vitamina D luan rol të rëndësishëm në përthithjen e kalciumit dhe fosforit, duke ndihmuar në ruajtjen e shëndetit të kockave, dhëmbëve dhe muskujve.
Studiuesit sugjerojnë se matja e vitaminës D gjatë verës mund të ndihmojë në identifikimin e personave që kanë mungesë të vazhdueshme të kësaj vitamine dhe që mund të kenë nevojë për vlerësim të mëtejshëm mjekësor.
Megjithatë, autorët theksojnë se bëhet fjalë për një studim vëzhgues, i cili nuk provon se mungesa e vitaminës D shkakton drejtpërdrejt frakturat apo vdekjen.
Gjithashtu, studimi është zhvilluar te persona të moshuar në Suedi, prandaj rezultatet nuk mund të përgjithësohen automatikisht për të gjitha grupmoshat dhe popullatat.
Gjetjet e reja hapin mundësi për kërkime të mëtejshme mbi kohën më të përshtatshme për matjen e vitaminës D dhe mënyrën se si mund të identifikohen personat që përfitojnë më shumë nga suplementet.















