30 ditë paraburgim për të dyshuarin për ngacmim seksual ndaj një të miture
Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Fushë Kosovë, ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj të pandehurit L.Z., i dyshuar për veprën penale të ngacmimit seksual.
Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila është aprovuar nga gjyqtarja e procedurës paraprake.
Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku që i pandehuri, nëse lihet në liri, të ndikojë te e dëmtuara e mitur, e cila është dëshmitarja kryesore në këtë rast, si dhe te familja e saj.
Po ashtu, sipas Gjykatës, ekziston mundësia që i pandehuri të përsërisë veprime të ngjashme ndaj të miturës.
Për këto arsye, Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është masa e vetme që, në këtë fazë të procedurës, mund të sigurojë zhvillimin e saj.
Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.















