Kurtaj ishte pjesë e grupit të hakerëve Lapsus$ dhe kishte kryer sulme kibernetike ndaj kompanive dhe individëve të ndryshëm kur ishte 16 dhe 17 vjeç.

Ai kishte hakuar Rockstar Games në vitin 2022, duke vjedhur të dhëna të brendshme të kompanisë, përfshirë 90 video me afro 60 minuta pamje nga versioni i papërfunduar i GTA 6. Më pas, ai kishte tentuar ta shantazhonte kompaninë, duke kërcënuar se do të publikonte edhe kodin burimor të lojës nëse Rockstar nuk e kontaktonte përmes platformës Telegram brenda 24 orëve.

Pasi kompania refuzoi të bashkëpunonte, Kurtaj publikoi pamjet dhe kodin burimor në një forum, duke përdorur emrin TeaPotUberHacker.

Përveç Rockstar Games, ai kishte sulmuar edhe kompanitë Revolut dhe Uber, madje ndërsa ishte në lirim me kusht dhe nën mbrojtjen e policisë, në një hotel në Bicester të Anglisë.

Në atë kohë, kompjuteri i tij ishte konfiskuar nga policia. Megjithatë, ai arriti të kryente sulmin ndaj Rockstar Games duke përdorur një pajisje Amazon Fire Stick të lidhur me televizorin e dhomës së hotelit, si dhe një tastierë dhe maus me Bluetooth.

Rockstar Games kishte deklaruar se sulmi i kishte kushtuar kompanisë pesë milionë dollarë për rikuperimin nga dëmet, si dhe mijëra orë punë të stafit.

Fillimisht, Kurtaj ishte dënuar me qëndrim të pacaktuar në një spital të sigurisë së lartë, për shkak të shkallës së rëndë të autizmit. Më vonë, ai ishte vlerësuar si i aftë për t'u përballur me gjykimin dhe në janar ishte transferuar në një burg të zakonshëm.

Në seancën e fundit, gjyqtari vendosi se koha e kaluar në spital dhe në paraburgim ishte e mjaftueshme, ndaj e dënoi me shtatë vjet burgim, por vendosi edhe lirimin e tij po atë ditë.

Atij i është shqiptuar gjithashtu një urdhër për parandalimin e krimeve të rënda, i cili do të jetë në fuqi për pesë vjet. Ky urdhër kufizon aktivitetin e tij në internet, përfshirë ndalimin e përdorimit të platformave Telegram dhe Discord.

Gjatë shpalljes së vendimit, Kurtaj qëndroi në këmbë dhe buzëqeshi. Gjyqtari, z. Justice Turner, e cilësoi atë si një të ri shumë të talentuar, por e paralajmëroi me fjalët: “Mos lejo që kjo të ndodhë përsëri.”

Policia e Qytetit të Londrës tha se ky rast dëshmon rrezikun që të rinjtë të përfshihen në aktivitete kriminale përmes internetit.