==Përmes një postimi në Facebook, Gucati ka vlerësuar kontributin e Krasniqit për Kosovën, duke thënë se ai ia ka kushtuar jetën çështjes së lirisë, dinjitetit dhe të ardhmes së vendit.

Kreu i OVL-UÇK-së ka shprehur shqetësim për kufizimet me të cilat, sipas tij, është përballur Krasniqi gjatë qëndrimit në Kosovë, veçanërisht për mundësinë e takimit me familjarët.

“Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë situatë është fakti që atij nuk po i lejohet as liria më elementare njerëzore, të takojë lirisht familjen e tij, madje as vëllezërit e tij. Ky kolos i madh i kombit, që dha gjithçka që Kosova të frymojë e lirë, sot mbahet larg të dashurve të tij nën peshën e padrejtësisë”, ka shkruar Gucati.

Ai ka bërë të ditur se Krasniqi ndodhet në Kosovë për vizitë pranë bashkëshortes së tij, Sevdije, e cila, sipas tij, nuk është mirë me shëndet. Gucati i ka uruar asaj shërim të shpejtë.

Në reagimin e tij, kreu i OVL-UÇK-së ka shprehur gjithashtu shpresën që procesi gjyqësor ndaj Krasniqit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së në Hagë të përfundojë sa më shpejt.

Ai ka thënë se beson në triumfin e së vërtetës për luftën e UÇK-së, pavarësisht zhvillimeve dhe akuzave me të cilat po përballen ish-krerët e saj.

“E vërteta e luftës sonë të drejtë e të pastër nuk mund të mbulohet përgjithmonë nga padrejtësia!”, ka përfunduar Gucati.