Në mbledhjen e komisionit, Kica-Xhelili ka thënë se përgjegjësia e kryeministrit në nivelin qendror është e njëjtë me atë të kryetarëve të komunave për politikat e drejtorive komunale.

Ajo ka theksuar se, sipas Kushtetutës dhe Ligjit për Qeverinë, kryeministri është përgjegjës për zbatimin e politikave të ministrive, prandaj, sipas saj, duhet të ftohet për të dëshmuar para komisionit.

“Meqë sot duket që po thirremi në përgjegjësi ligjore të përgjegjësive të nivelit qendror, ju rikujtoj që përgjegjësitë e njëjta konsiderohen në nivel të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit për Qeverinë, të cilat janë analoge të shqetësimeve që i ngritën disa nga anëtarët e komisionit sot në këtë takim. Nga kjo del që sipas mënyrës se si po trajtohen çështjet në këtë komision, duhet të ftohet edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës”, ka thënë Kica-Xhelili.

Përveç kryeministrit, deputetja e LDK-së ka propozuar edhe ftesën e ministrit të Financave, Hekuran Murati, për të sqaruar se si është vlerësuar nevoja për shtimin e kapaciteteve njerëzore në Qendrat për Punë Sociale (QPS) nëpër komuna.

Ajo ka thënë se gjatë dëshmive në komision është përmendur disa herë pamundësia e komunave për të rialokuar buxhetin dhe për të rritur numrin e punonjësve në këto qendra.

Sipas saj, dëshmia e ministrit Murati do të ndihmonte në sqarimin e rolit të Ministrisë së Financave në këtë çështje, edhe në funksion të hartimit të pjesës së dytë të raportit të komisionit.

Ndërkaq, deputetja është ndalur edhe te mënyra e trajtimit të dëshmitarëve, duke kërkuar që ekspertja e angazhuar nga komisioni të sqarojë paraprakisht kompetencat ligjore të secilit person që ftohet për të dëshmuar.

Kica-Xhelili ka mohuar se ndërhyrjet e saj në pyetjet e anëtarëve të komisionit kanë pasur për qëllim pengimin e diskutimit. Ajo ka thënë se synimi ka qenë që dëshmitarëve t’u parashtrohen pyetje që lidhen me kompetencat e tyre ligjore.

Sipas saj, paqartësitë rreth kompetencave mund të çojnë në kërkesa ndaj zyrtarëve për të ndërmarrë veprime që u takojnë institucioneve apo personave të tjerë.

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, është shprehur se për çështjen e ftesës së kryeministrit kishte dhënë arsyetimet e tij edhe më herët. Megjithatë, ai ka vlerësuar se, nëse rasti konsiderohet prioritet dhe emergjencë, kryeministri do të duhej të shprehte vetë gatishmërinë për të marrë pjesë në komision.

“Përveç që, në qoftë se ndjehen si çështje prioriteti, emergjence, do duhej edhe në mënyrë vullnetare ai të na kërkonte neve që të jetë këtu, e jo t’i bëjmë ne kërkesë atij”, ka deklaruar Rrahmani.

Rrahmani ka mbështetur ndërkaq ftesën e ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke e lidhur këtë me përvojën e tij katërvjeçare si anëtar i Komisionit për Buxhet.

Ai ka pretenduar se gjatë kësaj periudhe, në proceset buxhetore janë refuzuar pothuajse të gjitha kërkesat e institucioneve për punësime shtesë, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror.

Sipas Rrahmanit, refuzimet kanë përfshirë edhe kërkesat për punësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të rinj, si dhe institucioneve të tjera, duke ndikuar edhe në mundësinë e komunave për të plotësuar vendet e lira të punës.