“Lëreni propagandën”, Bajrami sfidon Qeverinë për 100 mijë vendet e punës
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar pretendimin e Qeverisë se gjatë mandatit të saj janë krijuar 100 mijë vende të reja pune, duke iu referuar të dhënave për numrin e kontribuuesve në Trustin Pensional të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Bajrami ka krahasuar rritjen e numrit të kontribuuesve në periudhën 2017–2021 me atë të viteve 2021–2025.
Sipas shifrave që ka publikuar ajo, në katërvjeçarin 2017–2021 numri i kontribuuesve është rritur për 51 mijë, ndërsa në periudhën 2021–2025 rritja ka qenë 42 mijë.
Duke u bazuar në këtë krahasim, Bajrami ka thënë se në katër vitet paraprake, përkundër pandemisë, janë regjistruar 9 mijë kontribuues më shumë sesa gjatë katër viteve të kësaj Qeverie.
“Lene propagandën për punësim, tregoni ku janë ato 100 mijë vende pune? Se në Trust nuk po figurojnë!”, ka shkruar Bajrami.
Ajo e ka cilësuar si propagandë pretendimin për krijimin e 100 mijë vendeve të reja të punës dhe ka kërkuar nga Qeveria që të tregojë se ku pasqyrohen këto vende pune në të dhënat e Trustit Pensional.















