Muriq pësoi tre gola ndaj Irlandës, mediat italiane vlerësojnë paraqitjen e tij, por veçojnë një gabim
Portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muriq, është rikthyer në formacionin titullar të Dardanëve në përballjen ndaj Irlandës, por nuk ka arritur ta shmangë humbjen 3:0 në Dublin.
Pas qëndrimit në bankën rezervë në ndeshjen ndaj Izraelit në Prishtinë, 28-vjeçari mori besimin e përzgjedhësit Franco Foda për takimin vendimtar të Ligës së Kombeve.
Pavarësisht tre golave të pësuar, paraqitja e portierit kosovar ka marrë vëmendje nga mediat italiane.
Mediumi “Sassuolonews”, i afërt me klubin e tij, Sassuolo, ka theksuar se rezultati përfundimtar nuk e pasqyron plotësisht performancën e Muriqit.
“Rezultati nuk përshkruan plotësisht performancën e Muriqit”, shkruan mediumi italian.
Sipas analizës së publikuar të mërkurën, portieri kosovar realizoi disa pritje të rëndësishme, ndërsa u përball me presion të vazhdueshëm pasi Kosova luajti me dhjetë futbollistë për më shumë se një orë.
Megjithatë, mediumi italian ka veçuar një moment negativ në paraqitjen e tij, duke iu referuar aksionit që çoi te penalltia e dytë.
“Muriq bëri disa pritje të dobishme dhe luajti pas një skuadre me dhjetë lojtarë për më shumë se një orë, por incidenti i penalltisë së dytë mbetet një njollë në performancën e tij”, shkruan “Sassuolonews”.
Mediumi shton se reagimi i Muriqit ndaj gjuajtjes së Molumbyt dhe kontakti pasues me Parrott ndikuan negativisht në vlerësimin e paraqitjes së tij.
Humbja 3:0 ndaj Irlandës bëri që Kosova ta përfundonte grupin në pozitën e tretë, duke mbetur jashtë plejofit për promovim në Ligën A.
Arijanet Muriq, i cili aktualisht aktivizohet te Sassuolo në Itali, ka regjistruar 54 paraqitje me fanellën e Kombëtares së Kosovës.















