Nelson Hysa sfidon Kabayelin: Kam luftuar me boksierë shumë më të mirë se ai
Boksieri shqiptar Nelson Hysa ka bërë një deklaratë të fortë në prag të përballjes me gjermanin Agit Kabayel, që do të zhvillohet të shtunën mbrëma në stadiumin “Merkur Spiel-Arena” në Dyseldorf të Gjermanisë.
Hysa ka shprehur besim të madh në aftësitë e tij, duke deklaruar se gjatë karrierës është përballur me kundërshtarë më të fortë se Kabayel.
Boksieri shqiptar ka përmendur tre emra të njohur të këtij sporti, Roberto Cammarellen, Kubrat Pulevin dhe David Price, të cilët i konsideron më të mirë se kundërshtari i tij i radhës.
“Kam luftuar me boksierë më të mirë se Kabayel. Cammarelle, Pulev dhe David Price. Të gjithë ata janë më të mirë se Kabayel. Nuk është thjesht diçka që e mendoj, është 100 për qind fakt”, ka deklaruar Hysa.
Përballja e së shtunës përbën një sfidë të rëndësishme për boksierin shqiptar, ndërsa Kabayel synon ta mbrojë titullin e kampionit të botës në kategorinë e peshave të rënda, të versionit WBC.
Megjithatë, ambiciet e Hysës nuk përfundojnë me këtë duel. Boksieri shqiptar ka shprehur gjithashtu dëshirën për një përballje të madhe me britanikun Tyson Fury.
Tashmë, mbetet të shihet nëse Hysa do të arrijë ta dëshmojë në ring besimin e madh që ka shfaqur para përballjes me gjermanin.















