“Kjo është politikë, jo drejtësi”
Në letërsinë e shkrimtarit nga Praga, Franz Kafkës, e gjejmë që individi përballet me një sistem gjyqësor të ndërlikuar, të paqartë dhe shpesh absurd, ku drejtësia vështirë se është e arritshme.
Një krahasim të tillë mund të zgjojë edhe procesi gjyqësor në Hagë, të paktën sipas reagimit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Kjo është politikë, jo drejtësi”, ka thënë Thaçi pasi gjykatësi Christopher Gosnell ia shqiptoi dënimin prej 17 muajsh burgim.
Reagimi i tij erdhi menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit, me të cilin u shpall fajtor për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Për këto vepra, gjykata i shqiptoi një dënim unik prej 17 muajsh burgim.
Ndërkaq, Thaçi u shpall i pafajshëm për një vepër të tentativës së pengimit ndaj një personi zyrtar.
Ky është rasti i dytë gjyqësor në të cilin Thaçi dënohet nga Dhomat e Specializuara. Në rastin kryesor për krime lufte, më 16 shtator 2026, ai u dënua me 25 vjet burgim.














