Kur kryegjyqtari Charles Smith e njoftoi Thaçin për dënimin prej 25 vjetësh burgim në rastin kryesor për krime lufte dhe më pas i kërkoi të ulej, ai u përgjigj shkurt: “Okej”.

Në atë moment, Thaçi buzëqeshi dhe u ul në vendin e tij.

Ndërkaq, në rastin e dytë, atë për pengim të drejtësisë, reagimi i tij ishte pak më i drejtpërdrejtë për Hagën.

Pasi gjykatësi Christopher Gosnell ia shqiptoi dënimin prej 17 muajsh burgim, Thaçi tha: “Kjo është politikë, jo drejtësi”.

Edhe kësaj radhe, ai buzëqeshi teksa iu lexua aktgjykimi.

Në këtë proces, Thaçi u shpall fajtor për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Për këto vepra iu shqiptua një dënim unik prej 17 muajsh burgim, ndërsa u shpall i pafajshëm për një vepër të tentativës së pengimit ndaj një personi zyrtar.