Në TV Dukagjini, Hasani ka thënë se Gjykata Speciale do të duhej të themelohej nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), e jo nga vetë institucionet e Kosovës.

“Për bindjen time e kam thënë atëherë, e them edhe sot, shumë më mirë ka qenë e themeluar nga OKB-ja”, ka deklaruar Hasani.

Sipas tij, OKB-ja, për shkak të natyrës dhe rolit të saj në ruajtjen e paqes dhe barazisë në botë, nuk do të mund të themelonte një gjykatë të kufizuar vetëm në hetimin e krimeve të pretenduara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Hasani ka vlerësuar se një gjykatë e themeluar nga OKB-ja do të kishte mandat për hetimin e krimeve të kryera në Kosovë, e jo të krimeve që lidhen vetëm me një nacionalitet.

Ai ka kritikuar edhe vendimin e institucioneve të Kosovës për themelimin e kësaj gjykate, duke thënë se vetë vendi e ka krijuar dhe legjitimuar një mekanizëm të tillë.

“Që për bindjen time, shumë më lehtë do të ishte që ta themelonte OKB-ja sesa që e kemi themeluar ne, me gishtat tanë. E kemi ndërtuar e legjitimuar një gjykatë të tillë”, ka thënë Hasani.