Haziri kërkon që "ligji për UÇK-në" të mos shndërrohet në garë politike
Përfaqësuesi i Platformës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka thënë se dakordimi për hartimin e një ligji të ri për UÇK-në duhet të shihet si rezultat i protestave dhe jo të shndërrohet në garë politike mes partive.
Në Debat Plu”, Haziri ka kërkuar që procesi të mos ngjyroset politikisht, duke theksuar se qëllimi tashmë është i përbashkët dhe se debati për nevojën e një ligji është mbyllur.
“Qëllimi im dhe duhet të jetë i përbashkët të mos e ngjyrosin politikisht. Mos të bëjmë një garë politike se a e ktheu ligjin dikush, a kthei dikush tjetër. A po don me përmirësu dikush, a s’po don me përmirësu dikush tjetër. Qëllimi këtu është veç një, sot po flasim për ligj të UÇK-së. Është mbyll një kapitull. UÇK-ja do të ketë ligj. Është mbyll, e vdekur si temë. UÇK-ja do të ketë ligj”, ka deklaruar ai.
Haziri ka vlerësuar se pa protestat, marrëveshja për një ligj të tillë nuk do të arrihej as në gjashtë muajt e ardhshëm.
“Po të mos ishte protesta s’do të ishte as gjashtë muaj më vonë. Kjo është meritë e protestës. Është meritë e protestuesve në shesh”, ka thënë Haziri.
Ai ka theksuar se merita për këtë zhvillim u takon qytetarëve që protestuan, duke kërkuar që fokusi të mbetet te hartimi dhe përmirësimi i ligjit, e jo te përfitimet politike nga procesi.















