Mata largohet nga futbolli si një nga lojtarët që ka fituar trofetë më prestigjiozë, përfshirë Kupën e Botës dhe Kampionatin Evropian me Spanjën.

Ai regjistroi 41 paraqitje me përfaqësuesen spanjolle, duke qenë pjesë e gjeneratës së artë që triumfoi në Botërorin e vitit 2010 dhe në Evropianin e vitit 2012.

Në finalen e Evropianit 2012, Mata shënoi një nga golat në fitoren bindëse 4:0 të Spanjës ndaj Italisë.

Karrierën e nisi në akademinë e Real Madridit, ndërsa më pas veshi fanellat e Valencias, Chelseat, Manchester Unitedit, Galatasarayt, Vissel Kobes, Western Sydney Wanderers dhe Melbourne Victory.

Gjatë karrierës së tij, mesfushori spanjoll fitoi Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës, Kupën FA dhe Kupën e Ligës, krahas shumë trofeve të tjerë.

Një nga periudhat më të rëndësishme të karrierës së tij ishte ajo te Manchester Unitedi, ku regjistroi 285 paraqitje dhe realizoi 51 gola.

Në mesazhin e lamtumirës, Mata theksoi se futbolli do të mbetet gjithmonë pjesë e jetës së tij.

“Futbolli nuk do të jetë larg jetës time asnjëherë. Do të ndalem së luajturi profesionalisht, por nuk do të ndalem së qeni futbollist”, u shpreh spanjolli.

Me pensionimin e tij, futbolli i jep lamtumirën një lojtari që la gjurmë të rëndësishme si në nivel klubesh, ashtu edhe me Kombëtaren e Spanjës.